Qendra Kombëtare e Kinematografisë që prej 3 vitesh ka punuar në hartimin e projektit për ringritjen e kinemave në Gjirokastër dhe Vlorë mbështetur nga Programi IPA i Bashkimit Europian. Falë një fondi me vlerë 37 milion lekë, tashmë projekti ka përfunduar dhe dy qytetet historike bëhen me kinema të reja pas 30 vitesh.
Teksa realizohej testimi i pajisjeve të reja, drejtuesi i projektit, Arben Papadhopulli u shpreh “Që në fillim menduam për të aplikuar për një projekt në fushën e turizmit kulturor, për digjitalizimin e sallës së kinemasë së Vlorës dhe asaj të Gjirokastrës. Pati vonesa për shkak të pandemisë dhe tashmë jemi të lumtur që po finalizojmë projektin me vendosjen e pajisjeve profesionale me video-projektorin 2 deri 4K”.
Por kur do të shfaqen filmat e parë për publikun?
Papadhopulli thotë se kjo është në dorën e Bashkisë së Vlorës, së cilës i dhurohet kinemaja digjitale dhe do duhet ta mirë administroje atë, por gjatë testimit të pajisjeve të re u vu re mungesa e kryetarit të Bashkisë Dritan Leli.
“Sot ne i dorëzojmë pajisjet Bashkisë së Vlorës, dhe që tani fillon problemi me këtë projekt sepse kërkon qëndrueshmëri dhe qëndrueshmëria duhet të sigurohet nga Bashkia e cila duhet të krijojë një plan biznesi të mirëfilltë për administrimin e sallës së kinemasë, për të blerë filma në treg, për të përcaktuar biletat, etj”, u shpreh drejtuesi i projektit, Papadhopulli.
Projektimet e para rezultuan të suksesshme dhe në qytetin e Gjirokastrës dhe së shpejti pritet të hapet kinemaja e re me transmetim në 2K, 3K dhe 4 K. Tashmë mbetet që Bashkia e Gjirokastrës të marrë përsipër përmirësimin e gjendjes fizike të sallës që të garantojë një mjedis në funksion të këtij investimi.
“Në këtë kinema që ishte një objekt në gjendje të mjeruar, tani na janë ofruar nga donatorët pajisje nga më të mirat dhe i mbetet bashkisë puna për ta menaxhuar. Nuk mund të them një datë fikse se kur do të hapet, por do të them se është e rëndësishme që kjo gjë që nisi të mos ngecet rrugës”, tha Bledi Kaçi drejtor i Kulturës në bashkinë e Gjirokastrës.
Sipas drejtuesit te projektit Arben Papadhopulli ky investim me vlerë 73 milionë lekë do ti sjellë Gjirokastrës një kinema të munguar prej 3 dekadash me parametrat e duhur për t’iu përshtatur kohës dhe garantuar publikut një hapësire të re kulturore.