Detaje të reja po dalin në dritë moment pas momenti, teksa mbrëmjen e sotme janë publikuar dhe imazhet e masakrës së Paskuqanit, ku Dan Hutra vrau dy gra.
Në studion e emisionit Opinion, gazetari Spartak Koka ka publikuar pamjet e regjistruara nga një kamera sigurie pranë shtëpisë së familjes Hysa në Paskuqan. Aty, Dan Hutra i mori jetën një ditë më parë dy grave, Mevlute Hysës 30 vjeçe dhe Hasime Dafkut 30 vjeçe, motra dhe kunata e ish-partneres së tij, Elena Hysa. Kjo e fundit bashkë me nënën e saj mbetën po ashtu të plagosura.
E gjithë ngjarja ndodh në vetëm 5 minuta e 30 sekonda, ku Hutra pasi ndalon makinën pranë shtëpisë, heziton për pak çaste, pasi pranë kalojnë fëmijë të shoqëruar nga prindërit. Më pas, me kallashnikov në dorë futet brenda shtëpisë dhe pas dy minutave hap zjarr.
Breshëria e plumbave dëgjohet në të gjithë lagjen, ndërsa kalimtarët, mes të cilëve edhe fëmijë, largohen me shpejtësi.
Dinamika e ngjarjes, minutë pas minute
Ora 12:34:13 sekonda – Pranë makinës së Dan Hutrës afrohet një automjet tjetër, i cili ndalon për disa sekonda. Mbetet e paqartë nëse kanë biseduar.
Kjo makinë kthehet mbrapsht me indietro dhe largohet.
Ora 12:35:16 – Dan Hutra del për herë të parë nga makina.
Ora 12:35:27 – Pranë makinës së Dan Hutrës kalojnë disa fëmijë të vegjël.
Ora 12:36:52 – Futet tek shtëpia e familjes Hysa.
Ora 12:37:09 – Futet brenda.
Ora 12:39:03 – Qëllon për herë të parë.
Ora 12:39:17 – Qëllon për herë të dytë.
Pas një pauze të shkurtër dëgjohen 4 breshëri.
Ora 12:39:43 – Del nga shtëpia.
Ora 12:59:54 – Dëgjohen për herë të parë fenelinat e policisë.