Apeli i GJKKO ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. Ky vendim u mor sot nga Apeli i Posaçëm i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë, edhe pse Alla kishte kërkuar masë më të lehtë sigurie se ajo ‘arrest me burg’.
Në burg janë lënë edhe 12 personat e tjerë të arrestuar bashkë me të, mes tyre dhe nënkryetarja e Bashkisë së Bulqizës.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 14.04.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10 akti, datë 07.04.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., E.I., A.Gj. A.N., ndaj vendimit nr. nr. 21, datë 14.03.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) dhe vendimit nr. 24, datë 18.03.2023 (mbi vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën e ankimuar nga të hetuarit K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., A.Gj, A.N. – Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari E.I. ndaj vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ish zyrtari i larte nuk u paraqit në seancë por përfaqësohej nga avokati i tij pasi ish kryebashkiaku ndodhet në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla u vu në pranga rreth 1 muaj më parë. Ndaj tij rëndojnë dy akuza, korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë. Bashkë me Allën është vënë në pranga dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku. Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.