Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli është shprehur se gjuha në Kuvend ka filluar të keqpërdoret.
Në një intervistë televizive, Kodheli referuar opozitës theksoi se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Më tej ajo nënvizoi se gjuha e përdorur në Kuvend duhet të dënohet nga e gjithë shoqëria.
“Gjuha në Kuvend ka filluar shumë të keqpërdoret. Gjëja që jam e sigurt është se gjuha e rëndë sjell vetëm gjëra negative, dhuna sjell dhunë. Duhet të ndalojë mënyra e dhunshme e komunikimit. Nuk është produktive për ata që na shohin. Njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Shantazhi është një formë e dëshpëruar. Ne nuk mund të vazhdojmë me shantazhe. Kjo është mënyra më e paduhur për të komunikuar me njëri-tjetrin. Është e patolerueshme që të flasim me një gjuhë shantazhuese. Kjo duhet të jetë e dënueshme nga gjithë shoqëria”, u shpreh Kodheli.
Ndërkohë, edhe deputetja e PS, Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me gjuhën e përdorur nga kreu i PD, Sali Berisha.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Spitopali shkruan se është e turpshme për një burrë të shpifë dhe të shantazhojë gratë.
“Edhe turpi do të ikte me vrap me turp kur sheh se si jemi katandisur këtu, ndërhyrje/zhurmë. Doktor përshëndeti ata se i ke lënë rrugëve. Se Sali Lenini dhe Flamur Trocki do bënin revolucionin dje por revolucioni mbeti në rrugë. Se revolucioni do pastërti, revolucioni do mend, revolucioni do kauzë, revolucioni do njerëz, revolucioni do bindje, të cilat ju nuk i keni doktor. Prandaj do të mbeteni ashtu siç thotë kolegu im Flamuri, do mbeteni 1 vit, 2 vjet, 3 vjet, 10 vjet rrugëve për të bërë revolucionin që nuk e bëtë kurrë në partinë që e morët peng në ‘90 dhe e kthyet në një parti leniniste të revolucionit permanent.
Ju jeni këta. Ne s’jemi këta. Dhe është e turpshme për një burrë të shpifë, të përgojojë, të shantazhojë gratë. Gura popullore i ka rezervuar një vend të posaçëm burrave që merren me gratë, që shpifin, që përgojojnë, që shantazhojnë gratë. Kurse populli ju rezervon një vend të veçantë duke i tkurrur, duke i bërë gjithmonë e më të vegjël, gjithmonë e më të parëndësishëm, duke i nxjerrë nga skena politike. Po ne jemi këtu, burra dhe gra, që t’iu flasim familjeve, që t’iu flasim fëmijëve, që t’iu flasim të rinjve të këtij vendi, që t’iu japim atyre shpresë, jo që t’iua presim në mes shpresën … ndërhyrje/zhurmë… Të jesh i bindur që deklarata që lexoi kolegia Denaj është e plotë dhe i referohet bëmave tuaja”, shkruan Spiropali.