Teknologjia e re që ndihmon për të zbuluar nëse një tumor është përhapur tek pacientët me kancer gjiri, mund të ndihmojë në transformimin e trajtimit të këtij kanceri, duke eliminuar nevojën për trajtimin me rreze dhe kimioterapi në disa raste. Teknologjia gjithashtu nënkupton se kirurgët që heqin qelizat kancerogjene kanë më pak gjasa të heqin indet e shëndetshme. Në shkurt të këtij viti Anita Harding u diagnostikua me kancer në gji. Ajo u zbulua në një kontroll rutinë në një klinikë të gjirit, në një takim që ishte një vit me vonesë. Takimi i saj i mëparshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë. Harding mendon se shtyrja ishte me fat. Ajo beson se mjekët mund të mos e kishin diktuar kancerin më herët sepse ishte shumë i vogël. Mjekët e kapën tumorin herët, ishte vetëm milimetra i gjerë. Megjithëse humbi burrin nga kanceri i ezofagut një vit më parë, Harding thotë se nuk ndihej tepër e shqetësuar. Ajo thotë se mjekët në Spitalin Saint Georges në Londër shpjeguan se si do të vazhdonte operacioni duke përdorur një teknologji të re gjurmimi.
“Unë kam një prerje rreth 5 cm ku ishte kanceri dhe më pas një prerje pak më të gjatë ku nyjet limfatike u kontrolluan për të parë nëse kanceri ishte përhapur. Plagët u shëruan shumë shpejt, vërtet nuk ishin problem fare. Dy ose tre javë pothuajse nuk mund t’i dalloje më”, thotë zonja Harding.
Ajo thotë se shërimi i saj ka qenë i shpejtë dhe pa efekte anësore.
“Ishte e çuditshme sepse nuk kam bërë kurrë një operacion më parë. Nuk kam pasur asgjë problem mjekësor më parë. Me të vërtetë kam qenë shumë me fat. Kështu që ishte mjaft interesante për të parë se si funksionoi gjithçka,” thotë zonja Harding.
Ajo kaloi një procedurë të ngjashme me këtë pacient të paidentifikuar në këtë sallë operacioni. Spitali po përdor një sistem të tërë të quajtur Endomag. Tumori i gjirit hiqet me operacion, radioterapi, kimioterapi ose ndoshta një kombinim terapish. Më pas është thelbësore që mjekët të kontrollojnë nëse kanceri është trajtuar ose nëse është përhapur. Ata e bëjnë këtë duke i injektuar një pacienti Magtrace, një gjurmues i lëngshëm magnetik që përmban hekur. Magtrace vepron si një shënues magnetik dhe një ngjyrues vizual dhe pasi injektohet në indin rreth një tumori, grimcat në të përthithen në sistemin limfatik. Grimcat ndjekin të njëjtën rrugë të ndjekur nga qelizat e kancerit të cilat mund të përhapen nga tumori primar në nyjet limfatike. Ai vepron si një udhërrëthyes, duke i udhëhequr kirurgët drejt nyjeve limfatike që kanë më shumë gjasa të sulmohen nga kanceri. Nyje të veçanta të quajtura nyje sentinel janë në gjendje të identifikojnë nëse tumori ka lëshuar metastaza. Gjendrat limfatike janë të lidhura me nyjet të cilat filtrojnë substancat e dëmshme nga trupi ynë. Brenda nyjeve janë qelizat e bardha të gjakut të cilat veprojnë si një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë imunitar.
Ato sulmojnë dhe shpërbëjnë bakteret, viruset, qelizat e dëmtuara ose qelizat e kancerit.
Lëngu nga këto gjëndra sjell mbetje në qarkullimin e gjakut dhe përfundimisht ato kalojnë përmes mëlçisë ose veshkave dhe largohen si mbeturina. Përpara se kjo procedurë të bëhej më e përdorur, kirurgët duhej të hiqnin të gjithë sistemin limfatik të një gruaje me efekte anësore potencialisht të rënda, siç shpjegon kirurgja Sarah Tang.
“Përpara se të bënim biopsi të nyjeve sentinel, ishte procedurë standarde të hiqeshin të gjitha nyjet limfatike dhe kjo i linte pacientët me efekte anësore potencialisht mjaft serioze. Pra, një e çarë më e madhe, më shumë dhimbje, mpirje të shpatullave. Disa pacientë mund të zhvillonin limfademë, e cila është enjtje e të gjithë krahut, dhe kjo mund të ndikojë vërtet në cilësinë e jetës. Pra, hyrja e biopsisë së nyjeve sentinel ishte me të vërtetë revolucionarizuese për kirurgjinë e gjirit, sepse do të thotë që duhet vetëm të kontrollojmë disa nyje limfatike dhe nëse ato janë normale, nuk ka pse të heqim të gjitha nyjet limfatike nën sqetull, që do të thotë më pak dhimbje, shërim më të shpejtë dhe mundësi më të ulëta për limfademë”, thotë ajo.
Kirurgia Tang thotë se ky informacion është shumë i rëndësishëm, sepse tregon nëse një kancer është shumë i hershëm, vetëm në gji apo pak më i avancuar sepse ka shkuar në sqetull dhe ky informacion ndihmon për prognozën e pacientit në të ardhmen, mbijetesën dhe nëse ata kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm si kimioterapia apo radioterapia. Përparimi më i madh i këtij gjurmuesi është se eliminon nevojën për mjekësi bërthamore. Deri tani mjekët përdornin gjurmues radioaktivë me ngjyrë blu për të gjetur nyjet limfatike. Sipas kirurges Tang, boja blu mund të shkaktojë anafilaksi dhe nuk mund të përdoret për pacientët e pambrojtur, siç janë gratë shtatzëna.
Gjurmuesit radioaktivë mund të përdoren vetëm në spitale me njësi speciale të mjekësisë bërthamore. Kjo e bën trajtimin të shtrenjtë dhe ka pak qendra të tilla, shumica janë të vendosura në spitalet më të mëdha. Ajo thotë se “një nga përfitimet e Magtrace është se nuk është radioaktiv, është një lëng inert. Në thelb është hekur i lëngshëm, kështu që mund të ruhet për një kohë të gjatë, dhe pa probleme. Pra, ndryshe nga radioaktiviteti, ai nuk ka nevojë për ndonjë pajisje të veçantë.” Kjo do të thotë që pacientëve mund t’u jepet një injeksion shumë përpara operacionit të tyre dhe mjekët mund të planifikojnë operacionin në mënyrë më efikase.
Duke mbajtur një shishe me lëngun Magtrace dhe sondën Sentimag, kirurgia Tang tregon se si lëngu gjurmues dhe makina skanuese funksionojnë së bashku. Ndërsa afrohen, makina Sentimag lëshon një zhurmë të mprehtë dhe vlera numerike në monitorin e saj rritet me shpejtësi. Megjithëse përbërësit e lëngut nuk janë të rrallë dhe të vështirë për t’u marrë, prodhimi i tij nuk është i thjeshtë thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë Endomag, Eric Mayes.
“Materiali në vetvete nuk është veçanërisht i shtrenjtë, por është shumë i ndërlikuar për t’u prodhuar dhe gjithashtu, ai injektohet në trup, dhe duhet të jetë shumë steril, duhet të kalojë nëpër një proces shumë të sofistikuar prodhimi. Megjithatë, gjëja e rëndësishme në lidhje me materialin është se ai mund të qëndrojë në raft, për vite përpara se të përdornet dhe kështu, mund të transportohet kudo” shpjegon Mayes.
Sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës. Është miratuar tashmë për përdorim në BE dhe është miratuar nga rregullatori amerikan, Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Zoti Mayes thotë se sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës. Tashmë është duke u përdorur nga disa kirurgë për të gjurmuar përhapjen e tumoreve në sistemet e tjera limfatike të trupit. Një vendim përfundimtar nëse sistemi është me kosto efektive për përdorim në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar pritet në tetor. Kompania thotë se teknologjia mund të zbusë gjithashtu mbështetjen në gjurmuesit e izotopëve radioaktivë të dërguar nga jashtë Britanisë së Madhe./voa