Gjykata Administrative ka shtyrë me pesë ditë vendimin për lirimin e zyrave të FRD-së. Kryetari i kësaj force politike, Sali Shehu, në një prononcim për mediat tha se do të vazhdojë fushatën në atë seli. Ai iu drejtua kryebashkiakut Veliaj, që të mos sillet si drejtues politik, pasi pretendojnë se janë në rrugën e ligjit.
Më herët, partia “Fryma e Re Demokratike” i drejtoi një letër kryebashkiakut Erion Veliaj, kryetarit të KQZ-së Ilirjan Celibashi dhe ambasadorëve duke pohuar se Bashkia po vepron në kundërshtim me ligjin, sa i përket lirimit të zyrave në rrugën “Abdi Toptani” në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i bëri thirrje partisë “Fryma e Re Demokratike” të lirojë zyrat, të cilat sipas tij “i ka zaptuar prej katër vitesh” në tejkalim të kohëzgjatjes së kontratës së vitit 2016. Në kundëpërgjigje, kryetari i FRD-së, Sali Shehu tha se nuk është dakord. “Ndërhyrja me forcë do sillte cënimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore”, është shprehur kryetari i FRD-së, Sali Shehu.
Fjala e Sali Shehut
“Që në ditët e para ka në statut paqen, mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe respektimin e institucioneve. Eshtë në përputhje të plotë me filozofinë e një partie në një fushatë zgjedhore.
BE ka hartuar një rezolutë që u bën thirrje organeve shtetërore dhe partive politike për qetësi, për një klimë që i duhet t’i shërbejë fushatës zgjedhore. Kësaj rezolute FRD-ja i përgjigjet me sjelljen e saj dhe këmbënguljen për t’i dhënë zgjidhje.
Ne kishim depozituar një kërkesë në Gjykatën Administrative, për të ndaluar aktet e paligjshme të Bashkisë, dhe u vendos që të bashkohet me shqyrtimin e çështjes në themel, procedurë rutinë. Ne e respektojmë, kjo kërkesë e jona e bashkuar me masën e sigurisë, do të shqyrtohet pas 5 ditëve.
Jemi në fushatë zgjedhore, po vazhdojmë fushatën dhe FRD-ja do ketë rezultate spektakolare dhe “Aleanca për Ndryshim” me kryetarët e të cilëve kam pasur një kontakt me telefon. Veliaj të mos sillet si drejtues politik, por si kryetar i Bashkisë, ne jemi në rrugën e ligjit”.