Kardiologu i QSUT-së, Edvin Prifti, do të vijojë të jetë i pezulluar dhe nuk mund të ushtrojë profesionin e tij. Ky vendim është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Posaçme e Apelit që e akuzon për pastrim parash.
Ishte vetë mjeku Prifti që kërkoi heqjen e pezullimit të vendosur nga GJKKO, por Apeli ka rrëzuar kërkesën e tij, duke e lënë të pezulluar. Kështu, Edvin Prifti nuk do të mund të hyjë në sallën e operacionit për të ushtruar detyrën.
Mjeku Edvin Prifti u pezullua nga detyra, pasi doli në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares Hoxha. Prifti kishte komunikuar me sekretaren e Gjykatës Krujë, ku kjo e fundit i kërkonte favor për të asistuar në operacionin e nënës së saj.
Mbas inspektimit në zyrën e tij dhe në banesë ju zbuluan një shumë e madhe parash, duke ngritur kështu dyshimet për pastrim parash. Pak javë më parë, SPAK bllokoi pasuritë e tij, duke i sekuestruar shumën prej 51.4 milionë lekësh dhe 177 mijë euro.
Mjeku asokohe ka mohuar para gjykatës të kishte lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas tij, paratë e sekuestruara nga SPAK i kishte fituar në disa çmime ndërkombëtare dhe nga të ardhurat si mjek në shtet dhe privat.
Kardiokirurgu atëherë u shpreh se ishte befasuar kur prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit më burg për të, ndërsa theksoi se me punën e tij në drejtim të repartit të kardiokirurgjisë në QSUT kishte kthyer besimin e qytetarëve tek shëndetësia, pasi kishte operuar me mijëra njerëz. Ai deklaroi se kishte mbaruar studimet me medalje ari në Itali ku edhe kishte punuar për një kohë për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 2006.
Me vendim gjykate, kardiokirurgu kishte marrë masën e pezullimit nga detyra, por prokuroria pas kontrollit në banesën e tij kërkoi t’i shtohet akuza e pastrimit të parave.