Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi rrëzimin e kërkesës për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për pezullimin e dënimit me burg. Vendimi u dha nga gjyqtarja e Apelit Nertina Kosova, e cila pas shqyrtimit të kërkesës vendosi të mos i pranoj argumentet e avokatit mbrojtës të Llallës.
Ish-kryeprokurori Llalla, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës kërkoi pezullim të dënimit me 2 vite burg. Pezullimi i vendimit u kërkua, pasi sipas mbrojtjes mbyllja e tij në qeli do i sillte pasoja të rënda për shëndetin. Ish kryeprokurori, u shpall në kërkim ndërkombëtar rreth një muaj parë. SPAK mbylli procedurat dhe dërgoi emrin e tij, në zyrën e Interpolit menjëherë pasi policia dorëzoi raportin për mosgjetjen e tij në banesë apo vende të tjera ku mendohej se ishte. Javën e kaluar Apeli i Posaçëm zbardhi edhe vendimin e dënimit ndaj ish kryeprokurorit.
Sipas Apelit të Posaçëm ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie. Më konkretisht ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7000$ për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë te banesës si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.
Gjithashtu ndaj ish-kryeprokurorit gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Në vendimin e saj Apeli i GJKKO-së, thotë se ish-kryeprokurori për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.
/Priza.al/