Shqipëria është një vend me dy standarde në shumë sektor dhe këto për fat të keq ekzistojnë edhe në Drejtësi. Konkretisht, vendimet e Gjykatave në shumë raste nuk zbatohen dhe individ apo subjekte të caktuara me lidhje politike dalin edhe mbi ligjet dhe gjykatat.
Gjykata e Lartë vendosi pak kohë më parë për anulimin e punimeve në Parkun Kombëtar të Valbonës, por asgjë deri tani nuk është marrë parasysh dhe investitorët vijojnë ndërtimin e dy hidrocentraleve të projektuar.
“World Wide Fund for Nature” shkruan se, pas shumë vitesh përpjekje nga banorët e zonës, në korrik të këtij viti Gjykata e Lartë vendosi të pezullonte të gjitha punimet në hidrocentrale por vendimin nuk po e zbaton askush.
“Fatkeqësisht, nuk është surprizë që investuesi po e injoron komplet vendimin. Ashtu siç dëshmojnë edhe banorët e vendit, prej kohësh aktiviteti ilegal vazhdon. Kujtojmë gjithashtu se këto projekte nuk ishin transparente që nga fillimi, pa informim për publikun apo konsultim me banorët.
Për t’i përkeqësuar gjërat, ata harruan të merrnin firmat e tyre dhe penguan një procedurë e cila shërben për mbrojtjen e parkut dhe interesin publik. Besimi i njerëzve në forcën e ligjit është në rrezik për sa kohë investitorët injorojnë vendimin e Gjykatës, sikur ky ligj të mos aplikohej aspak për ta.
Është provuar mbi çdo dyshim, se projektet e hidrocentraleve shkaktojnë dëme joproporcionale me elektrecitetin që prodhojnë. Qeveria duhet të kërkojë mënyra të tjera të prodhimit të energjisë, si për shembull, energjia diellore”,- thotë Rea Nepravishta.
Banorët e Valbonës kërkuan nga gjykata në vitin 2017 që të anulojë punimet e qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve, por kërkesa e tyre nuk u pranua në atë kohë, duke lejuar vazhdimin e punimeve.
Projekti “Dragobia”, që përfshin ndërtimin e dy hidrocentraleve, rrugëve dytësore, linjave elektrike e tuneleve, po zhvillohet në këtë zonë prej 5 vitesh.
Më 21 korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të bllokonte ndërtimin e HEC-ve në Parkun e Valbonës, që është edhe zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë.
Çfarë është WWF?
Fondi Botëror për Natyrën është një organizatë joqeveritare ndërkombëtare e themeluar në vitin 1961 që punon në fushën e ruajtjes dhe zvogëlimit të ndikimit të njeriut në mjedis.
Më parë u quajt Fondi Botëror i Kafshëve të egra, i cili njihet ende si emri zyrtar në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.
/Priza.al/