Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Suel Çelës për heqjen e masës së “arrestit në burg” të caktuar ndaj tij në maj të 2022 pas operacionit “Plumbi i Artë”.
Suel Çela akuzohet për porositjen e dy atentateve të dështuara ndaj Lulzim Mashës dhe Elton Kilës i njohur si ‘Oti i Elbasanit’. Ky i fundit deri më tani u ka shpëtuar 4 atentateve dhe Suel Çela donte kokën e tij.
Në dosjen ‘Plumbi i Artë’, SPAK akuzon Suel Çelën si porositësi i një prej atentateve ndaj ‘Otit të Elbasanit’ më 29 mars 2022.
Atentati i dështuar ndaj tij u zbardh pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili ishte një nga personat e rekrutuar nga Suel Çela për të kryer ekzekutimin.
Njëjtë dështoi edhe atentati ndaj Lulzim Mashës më 18 janar 2022, administrator i shkollës private ‘Willson’ pranë Liqenit Artificial në Tiranë.
Nuredin Dumani ka dëshmuar se porosia për vrasjen e tij i është dhënë nga Suel Çela, por në fakt vrasjen e Lulzim Mashës e kërkonte një mik i Çelës, emrin e të cilit Dumani nuk e ka bërë të ditur, pasi ka dëshmuar se i kishte vetëm numrin e celularit.
Emri i Suel Çelës doli në skenë sërish më 25 nëntor, kur SPAK i goditi organizatën kriminale të drejtuar prej tij me bazë në Elbasan.
Ndaj tij është caktuar një tjetër masë sigurie arrest me burg, ndërsa SPAK përmes zbërthimit të bisedave në SkyEcc arriti që të zbulojë lidhjet e Çelës jo vetëm me personazhe të krimit, por edhe me njerëz të drejtësisë si ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu apo lidhjet me gazetarët.