Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e marrë në shqyrtim partinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku kjo e fundit kërkonte shfuqizimin e ligjit Për Korporatën e Investimeve Shqiptare, si e papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë vendimi është marrë prej datës 28 Mars, pavarësisht pretendimeve të LSI-së se ligji cënon lirinë e pronës.
Me çfarë ka të bëjë Korporata e Investimeve Shqiptare?
Korporata e Investimeve Shqiptare është krijuar me ligjin e fundit të vitit 2019. Si një shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Synon menaxhimin e pronave të shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar.
Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.
Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga Shteti me infrastrukture ndihmesë, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion.