Anëtari i tetë i Gjykatës Kushtetuese, Ilir Toska i cili u zgjodh nga Gjykata e Lartë më 12 shtator është betuar para Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të tij nga Kreu i Shtetit, Gjyqtari Toska me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua para Presidentit Begaj se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Presidenti Begaj i uroi suksese zotit Ilir Toska gjyqtar dhe ish-anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, zv. Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, z. Sokol Binaj, Këshilltari Ligjor Rezident i OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, z. Constantine Soupios si dhe kreu i Sektorit Politik në Delegacionin e BE-së në Tiranë z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. Gjyqtari Toska do të jetë anëtari i tetë i Gjykatës Kushtetuese dhe i dyti përfaqësues i Gjykatës së Lartë në këtë institucion. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED përcolli raportin e miratuar dhe listën me dokumentacionin shoqërues të tre kandidatëve që konkurruan për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të ish-gjyqtarit të hkarkuar Gani Dizdari.
Pas kontrollit të kryer nga KED, në listë ishte renditur i pari, gjyqtari i apelit Ilir Toska. Toska është vlerësuar me 85.44 pikë, ndërsa i ka kaluar të dyja shkallët e vettingut. Në listën e KED e dyta ishte renditur gjyqtarja Manjola Xhaxho me 83.34 pikë, ndërsa e treta gjyqtarja Holta Zaçaj me 82.2 pikë. Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e zotit Toska në radhët e saj, ajo ka në përbërje 8 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.
Lista e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese
- Dr. Vitore Tusha, Kryetare
- Marsida Xhaferllari, anëtare
- Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
- Dr. Elsa Toska, anëtare
- Altin Binaj, anëtar
- Sonila Bejtja, anëtare
- Dr. Sandër Beci, anëtar
- Ilir Toska, anëtar