Gjykata Kushtetuese shfuqizon Bordin e Karburanteve, pranohet kërkesa e PD

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike duke vendosur shfuqizimin e Bordit të Karburanteve. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Bordi i Karburanteve është i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë dhe për rrjedhojë është shfuqizuar ligji që miratoi aktin normativ të firmosur nga qeveria më 12 mars të vitit 2022 që solli dhe ngritjen e këtij grupi për caktimin e çmimit të karbiranteve.

Padia u ngrit nga deputetët e Partisë Demokratike. Ata u shprehën se asnjë prej Bordeve nuk i ka ruajtur interesat e qytetarëve dhe se ai i Karburanteve cënonte lirinë ekonomike e parimin e konkurrencës në treg.

Njoftimi:

“Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

  1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
  2. Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *