Në përfundim të seancës gjyqësore për 3 kontrollorët ajror, avokati Rezart Kthupi ka komentuar me ironi vendimin e gjykatës e cila la në burg 2 prej tyre, dhe një në arrest shtëpie. Me doza të larta ironie ai tha se sot është një ditë e mrekullueshme pasi u dënuan “puçistët”, nisur nga deklarata e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku që grevën e tyre e cilësoi si grusht shteti.
“Sot dënuam me masë sigurie puçistët, është një ditë e mrekullueshme! Nuk është vepër penale, akuzohen tre persona që janë larguar nga puna. Tre kontrollorë nuk mund të bllokojnë punën në Rinas. Kjo çështje do vazhdojë. Shpirtërisht nuk mund të flas më. Nuk jam i stresuar jam moralisht i dërrmuar”, tha Kthupi.
Ditën e sotme, gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat e prokurorisë për 3 kontrollorët e trafikut ajror të akuzuar për shpërdorim detyre pasi nxitën bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit. Flora Ndreca është lënë në arrest shtëpie ndërkohë që 2 të tjerët, Muhin Mezini dhe Armando Fezga janë lënë në burg.
Treshja e kontrollorëve u arrestuar pasi i akuzuan si organizatorë të grevës së paligjshme të kontrollorëve, të cilët njëherazi dorëzuar formularët ku shpallën paaftësi në punë për shkak të stresit si pasojë e uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400. Emrat e të treve dolën në bisedat e grupeve të ëhatsApp, ku flisnin se si të plotësonin formularin e paaftësisë për punë. Greva e tyre solli pezullim të fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, e ndërsa Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cilësoi si grusht shtetit.
Balluku paralajmëroi se organizatorët do të mbajnë përgjegjësi penale, e ndërsa hodhi akuza të forta në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta. Sipas saj, e gjitha ishte një puç i organizuar para zgjedhjeve me qëllim që të ndalonin marrjen e dozave të dyta të vaksinave dhe që vendi të shkonte në një trazirë popullore. Pas më shumë se 24 orësh bllokim, nisën fluturimet në Aeroportin e Rinasit fillimisht me ato të domosdoshme e më pas me udhëtimet për qytetarët. Siç ka njoftuar më herët Rama, një pjesë e kontrollorëve shqiptarë janë kthyer në punë dhe aktualisht vijon puna normalisht.