Gert Shehu, 31-vjeçari që qëlloi me grusht Sali Berishën, do të mbetet në burg pasi të dalë nga spitali i Traumës ku ndodhet i shtruar. 31-vjeçarit i është komunikuar në spital masa e sigurisë.
Mediat shkruajnë se avokati Nikolin Selimi ka kërkuar nga Gjykata masë më të butë sigurimi, si arrest shtëpie apo shtrim të detyrueshëm në spital. Ndërkohë, prokurori ka kërkuar arrest më burg deri në daljen e ekspertizës për gjendjen e tij.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët është ndalur te sulmi fizik ndaj tij më 6 dhjetor. Ai deklaroi publikisht se e ka falur sulmuesin e tij, Gert Shehu, të cilin e quajti kamikaz pa eksploziv.
Berisha: “Siç e dini unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun, por debatet e shumta lidhur me ngjarjen më detyrojnë të jem këtu para jush për këtë çështje. Për të sqaruar opinionin se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor ose porositës të këtij skenari. Nuk e akuzoj absolutisht Edi Ramën për motive dhe shkaqe politike. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se çdo njeri që gabon, se akuzat e mia kanë këtë qëllim mashtron veten dhe asgjë më shumë. Nuk e akuzoj Edi Ramën për faktin se policia nuk mbrojti protestën.
E akuzoj sepse Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër, mbiemër dhe kod dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Gerti Shehu është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës. Unë akuzoj Edi Ramën si porositës të krimit, sepse për pacientin e Edi Ramës nuk ekziston asnjë dokument zyrtar shtetëror që të faktojë se Gert Shehu është i sëmurë i papërgjegjshëm. Ekziston vendim Gjykate që e dënon për goditjen e një personi tjetër.
Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gert Shehun nga kriminel në të sëmurë psiqik? Kjo merret me mend. I sëmuri i Edi Ramës dhe gjitoni, para pak kohësh i Ardi Veliut këtë vit ka rinovuar patentën. Ai është aq i sëmurë sa ka marrë edhe kredi në banka, gjë që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psiqik”.
Çfarë ndodhi në protestë?
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.
31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi kishte dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor, teksa sot Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.