Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe ditën e sotme ka shpallur të ligjshëm dëbimin e emigrantëve drejt Ruandës. Në qershor të këtij viti u planifikua një fluturim për në shtetin afrikan, i cili u anulua për shkak të debatit të gjerë dhe sfidave ligjore që shkaktoi. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se plani për udhëtimin drejt Ruandës të katër emigrantëve të paligjshëm përmbante “një rrezik real të dëmtimit të pakthyeshëm”.
Gjykata në vendimin e saj shprehu se i gjithë plani i paraqitur ishte në përputhje me konventën e refugjatëve. Megjithatë, theksoi se sekretari i brendshëm duhet të shikojë “rrethanat e veçanta” të emigrantëve përpara se t’i dëbojë ata.
Shumica prej tyre që mbërrijnë në Britani përdorin varka të vogla për të kaluar kanalin që lidh Britaninë me Francën. Shqiptarët përbëjnë një numër të madh të emigrantëve të paligjshëm në këtë vend nisur edhe nga deklaratat e Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila tha se vendi ishullor po pushtohet nga emigrantët e paligjshëm shqiptar. Media britanike DailyMail ka publikuar një raport sekret të ushtrisë britanike, që zbulon se 40% e emigrantëve që kanë kaluar me gomone janë nga Shqipëria. Ndërsa sipas The Telegraph, një tjetër media e rëndësishme në Britani, e vetmja mënyrë për ndalimin e fluksit të emigrantëve sidomos atyre shqiptare është ndryshimi i legjislacionit.
Rritja e numrit të shqiptarëve që përdorin gomone për të hyrë në Britani ka bërë që deputetët anglezë t’i bëjnë thirrje ministrave që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të deportuar emigrantët në Ruandë. Për këtë arsye vendimi i sotëm i gjykatës ngre pikëpyetje të mëdha mbi fatin e shqiptarëve dhe mbetet për tu parë se çfarë vendimi do të merret për ta.