Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, lidhur me faktin se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Partisë Demokratike për koncesionerin e Burtrinit. Manjani ka shtruar disa pyetje, duke akuzuar se Parlamenti në vend, po formulon ligje me karakter individual që po nxjerrrin nga funksioni ligjet normative.
Postimi i Plotë:
A mund të bëhet Parlamenti komision tenderi?!
**
Lexova në lajmet online se Gjykata Kushtetuese ka pranuar të kalojë për gjykim padinë për kontratën e koncensionit të Butrintit.
Dakord, mirë ka bërë që po e gjykon si rast.
Vetëm se ajo që do të përbënte (krye)interes publik nuk është kontrata në vetvete, por a do ndalohet apo jo Parlamenti të miratojë ligje të personalizuara?!
Pra a mund të lejohet një Parlament në një sistem demokratik që të bëjë ligje (norma) me karakter individual, të cilat nxjerrin nga funksioni ligjet normative?!
Ç’kuptim ka qeveria, administrata publike nëse kontratat e koncensioneve i miratoka Parlamenti?! Janë apo jo pushtetet e ndara?!
A mund të anashkalohen ligjet normative që garantojnë barazi, garë, drejtësi dhe mbi të gjitha siguri juridike?!
Unë pres përgjigje për këto çështje nga Gjykata Kushtetuese dhe jo e lagu s’e lagu me elementët e një kontrate specifike.
Nuk e di se ç’kanë kërkuar paditësit në padinë e tyre, por përgjigja përfundimtare e këtyre pyetjeve sqaron njëherë e mirë rolin e Kuvendit, Qeverisë dhe zbatimin e ligjeve normative.
Përgjigja e këtyre pyetjeve sqaron edhe legjitimitetin e të gjitha kontratave të tjera, ku Kuvendi ka vendosur në mënyrë të personalizuar si komision tenderi!!!
Nëse nuk bëhet kjo, pra të kthejmë Parlamentin në krye të vendimmarrjes normative, s’kemi gjë në terezi.
Asnjë Parlament nuk mund të jetë komision tenderi. Aq më pak mburojë nga ndjekja penale e komisioneve të korruptuara të qeverisë..!