Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.
Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës. Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.
Dëshmitari: Dy persona mu prezantuan si pjesëtarë të UÇK-së
Prokurori, Cezary Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”.
Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, pasi atij menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes.
Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”.
Ai ka thënë se dy personat që e kanë ndaluar, bashkë me dy personat në makinë, të gjithë me uniforma, e kanë çuar atë në Zllash.
Sipas tij, këta persona i kanë ofruar një çokolladë dhe më pas e kanë grushtuar në fytyrë, duke ia mbuluar kokën me thes.
“Thesin e kam pasur në kokë. Më kanë marrë dy persona, më kanë çuar në dhomën ku kam qëndruar, më kanë shqelmuar dhe nuk kam parë asgjë. Pastaj erdhën të tjerë, dhe rreth një orë kam qëndruar ashtu, më kanë marrë dhe më kanë dërguar në një vend tjetër, jashtë, ka qenë ftohtë, dhe më kanë rrahur”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se pasi kanë arritur në vendin ku ka qëndruar, ndaj tij kanë ushtruar dhunë fizike dhe më pas e kanë dërguar në një ambient të jashtëm.
“Më akuzuan se kisha bashkëpunuar me serbë”
Dëshmitari më vonë ka thënë se tre-katër persona e kanë marrë sërish nga një ahur dhe e kanë dërguar në një vend tjetër.
Ai ka thënë të jetë alivanosur disa herë, pasi është rrahur edhe me drunj dhe atë e kanë sharë vazhdimisht.
Përgjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se personat që e kanë ndaluar e kanë akuzuar se ka bashkëpunuar me serbë.
“Kam qenë njeri i varfër në atë kohë. Kam shitur dru me një kal që kam pasur. Unë nuk kam pasur çare pa folur me ndonjë serb, sepse nuk kam mundur të jetoj ndryshe, të mbaj familjen”, ka thënë dëshmitari.
“I akuzuari ka qenë njeriu kryesor”
Kur dëshmitarin e kanë dërguar në ambientin e dytë, ai ka thënë se njëri prej personave ia ka drejtuar një revole në kokë.
Ai ka thënë thënë se personi që ia ka drejtuar revolen në kokë ka qenë “i akuzuari në sallë” duke refuzuar që t’ia përmend emrin.
Sipas tij, personi që ia ka drejtuar revolen ka qenë personi kryesor aty.
“Unë e bazoj këtë, sepse pa thënë i akuzuari, ata nuk kanë bërë asgjë, ushtarët tjerë që kanë qenë aty. I akuzuari ka qenë kryesori”, ka thënë ai, ndonëse ai ka përmendur se ka qenë shumë errësirë në vendin ku është mbajtur dhe nuk e ka parë atë.
Megjithatë, sipas tij, qëllimi nuk ka qenë që ai të vritet.
“Kam pasur dëshirë që të më vrisnin. Në ato momente si kam qenë, kam pasur dëshirë që të më vrisnin”, ka thënë ai.
Aktakuza ndaj Mustafës
Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.
Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.
Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, i ka thënë Mustafës në hyrje të seancës se nuk do t’i lejojë atij gjuhë të papërshtatshme, sikurse herën e kaluar, dhe mund ta largojë nga salla për këtë arsye.
Në fillim të senacës, Mustafa ka kërkuar që të deklarohet, mirëpo gjykatësja nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
“Do t’ju kisha dhënë fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim dëshmitarin dhe më pas në një moment të duhur do t’ju lejoj të thoni atë që doni”, ka thënë Veldt-Foglia.
Më 15 shtator, gjatë seancës së parë gjyqësore, Mustafa e kishte krahasuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar me “zyre të Gestapos” – referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Prokuroria: Viktimat ishin shqiptarë
Në seancën e parë gjyqësore, të mbajtur më 15 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar argumentoi se viktimat nuk ishin spiunë, por “shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si bashkëpunëtorë”.