Gjyqi ndaj Salianjit/ Apeli njofton: Po shqyrtojmë kërkesat për përjashtimin e gjyqtares Petri

Gjykata e Apelit ka njoftuar se po shqyrton kërkesat e paraqitura ditën e sotme në seancën gjyqësore, për përjashtimin e Relatores së trupit gjykues, Edlira Petri nga gjykimi i çështjes me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji. Këta të fundit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim.

Në një njoftim të bërë publik, bëhet me dije se së bashku me kërkesat për përjashtim, Gjyqtarit që do t’i shqyrtojë ato, do t’i vihet në dispozicion edhe mendimi me shkrim i Gjyqtares Edlira Petri, për të cilën u paraqitën kërkesat për përjashtim.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

NJOFTIM PËR MEDIAN DHE PUBLIKUN

Në vijim të informacioneve, duke marrë parasysh interesimin e shtuar të mediave, si dhe të opinionit publik për t’u informuar mbi çështjet me interes publik, ju informojmë si më poshtë:

Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sot më datë 07.03.2023, ora 09:30, u shqyrtua çështja penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë “ i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal. Viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj.

Trupi gjykues përbëhet nga: Relatore znj. Edlira Petri dhe anëtarë z. Genti Shala dhe znj. Elona Toro.

Që në fillim të seancës gjyqësore, i pandehuri Ervin Salianji, parashtroi kërkesë paraprake për përjashtimin e Relatores së trupit gjykues, Edlira Petri. Kërkesa u relatua në seancë gjyqësore dhe u depozitua pranë sekretarisë së gjykatës.

Gjithashtu, edhe përfaqësuesi i të pandehurit Jetmit Olldashi, av. Indrit Sefa, paraqiti kërkesë për përjashtimin e Relatores së trupit gjykues, Edlira Petri. Kërkesa u relatua në seancë gjyqësore dhe u depozitua pranë sekretarisë së gjykatës.

Trupi gjykues vendosi të ndërpresë gjykimin e çështjes penale me qëllim shqyrtimin e kërkesave për përjashtimin e Gjyqtares nga një tjetër Gjyqtar i po kësaj gjykate. Së bashku me kërkesat për përjashtim, Gjyqtarit që do ti shqyrtojë ato, do ti vihet në dispozicion edhe mendimi me shkrim i Gjyqtares Edlira Petri, për të cilën u paraqitën kërkesat për përjashtim.

Pasi të shqyrtohen kërkesat për përjashtim, do të njoftohet edhe vijimi i procesit gjyqësor.

Tiranë, 07.03.2023

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *