Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, sot do dalin para trupit gjykues përsëri.
Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.
Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.
Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.
Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.