Trupi gjykues në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, është shprehur i shqetësuar me ritmin e këtij procesi gjyqësor.
Përmes një urdhri, kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët që të shkurtojnë kohën për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Në fillim të seancës, Smith ka thënë se prokuroria duhet të rishikojë pyetjet në mënyrë që ndaj të akuzave të zhvillohet një proces gjyqësor me kohë të arsyeshme.
“Trupi gjykues është i shqetësuar me ritmin si po shkojnë dëshmitë, duke pasur synimin që prokuroria synon ta përfundojë paraqitjen e provave në prill të 2025, unë u detyrova të bëj disa llogaritje dhe kemi bërë rreth 120 orë deri në fund të kësaj jave, do të thotë rreth dhjetë dëshmitarë, ose 12 orë për dëshmitarë. Bëjeni vet llogaritë sa i takon planifikimit, të kuptoni se cili është rezultati, por me këtë ritëm nuk kemi për ta realizuar afatin. Në interes të kursimit të kohës, nuk është e domosdoshëm t’i pyesni dëshmitarët për çështje të cilat nuk janë në nevojë të shqyrtohen. Prokuroria duhet ta reduktojë kohën që nevojitet për pyetjet nga ana e vet, po ashtu mbrojtja ka shpenzuar një kohë të madhe për çështje anësore apo çështje që nuk janë objekt shqyrtimi mes palëve”, ka thënë Smith.
Gjithashtu, trupi gjykues ka thënë se prokuroria nuk ka pse t’i pyesë dëshmitarët për gjëra që tashmë janë të ditura në deklaratat që ata i kanë dhënë.
“Rregulla 154 është për të reduktuar kohën që nevojitet për të bërë pyetjet nga ana e prokurorisë, dhe ndonjëherë na janë dashur orë të tëra për të pyetur dëshmitarët e rregullës 154, mund ta ndryshojmë ne si trup gjykues por sugjerojmë që ta bëjë vet prokurori. Ne i kemi lexuar deklaratat, ne e dimë çfarë kanë thënë dhe t’i pyesni prap dëshmitarët për gjëra që ne i kemi lexuar në deklaratat e tyre nuk i bënë askujt nderë. Të gjithë ne duhet të kujdesemi që t’i respektojmë afatet për hirë të të akuzuarve”, ka thënë ai.
Në këtë seancë, trupi gjykues ka dhënë urdhrin e dytë përmes të cilit është zgjatur afati, për mbrojtjen e Thaçit, Veseli dhe Krasniqit, për apelimin e dy vendimeve gjyqësore, deri më datë 26 qershor të këtij viti.
Ndërsa ka pasur edhe një tjetër urdhër, por është dhënë në seancë private.
Pas kësaj, në gjykatë ka dalë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe mban kodin 3540. Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.