Nis sot në Turqi gjyqi i radhës kundër organizatorëve të protestave të verës 2013, të cilat sipas Erdogan kishin për qëllim rrëzimin e qeverisë së tij. Sistemi turk i drejtësisë është vënë përpara provës dhe akuzave se është nën kontrollin politik të qeverisë. Gjykata e Stambollit rifilloi sot procesin kundër filantropit Osman Kavalla dhe 15 të akuzuarve të tjerë për protestat e vitit 2013 kundër planit për zhvillimin e një parku në qytet.
Presidenti aktual, Rexhep Taip Erdogan, atëkohë ishte kryeministër dhe deklaroi se motivi i tyre ishte rrëzimi i qeverisë. Biznesmeni Kavalla është i burgosur prej tre vitesh e gjysmë ndërsa në shkurt u vendos që ai të gjykohej edhe për veprën e spiunazhit në trazirat e 2016-ës, kur u tentua grushti i shtetit.
Në seancën e së premtes, filantropi turk tha se akuzat për spiunazh ndaj tij e tejkalojnë kuptimin që përcakton ligji madje edhe fjalori, dhe se prokurorët po e akuzojnë si dikur në Gjermaninë naziste, me idenë konspirative se çdo organizatë e shoqërisë civile ekziston me qëllim spiunazhi. Opozita thotë se mesazhi për ta është i qartë.
“Sot po mbahen dy gjyqe të rëndësishme në Turqi. Të dyja tregojnë se ku ka arritur regjimi. Janë krejtësisht politike, me urdhër qeverie për t’i mbyllur zërin opozitës, shoqërisë civile.”
Biznesmeni Kavalla fitoi lirinë shkurtin e kaluar por Prokuroria e apeloi vendimin. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe SHBA-ja i kanë bërë thirrje Turqisë për lirimin e të akuzuarve. Ndaj tyre rëndon vepra e organizimit të grushtit të shtetit që dënohet me burgim të përjetshëm.