Seanca dëgjimore e të martës ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Tiranës, Elvana Çiçolli u dominua kryesisht nga diskutimi sa i përket një numri ankesash mbi procedurat dhe gjetjet e vetë komisionit që i kërkoi shpjegime asaj në lidhje me dosjet.
Relatorja Etleda Çiftja, pjesë e trupës me kryesuese Alma Faskaj dhe anëtare Suela Zhegun, tha se nga hetimi dukej se në disa raste kishte shkelje të të drejtave të ndërgjygjësisë dhe mos dëgjim të palëve të treta. Çiftja tha se dukej se palëve u ishte cënuar e drejta.
Vetë Çiçolli që falënderoi trupën për hetimin kompleks, këmbënguli se kishte ushtruar detyrën në zbatim të legjislacionit dhe me përkushtim. Ajo i tha Komisionit se numri i ankesave, për shkak edhe të numrit të lartë të dosjeve ishte i pritshëm.
Elvana Çiçolli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.