Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Makina që drejtohej nga shtetasi me inicialet A.F. ka përplasur motomjetin me të cilin udhëtonte 18-vjeçari me inicialet Enjon Saliaj. Ky i fundit, fatkeqësisht ndërroi jetë në spital, pas plagëve të marra nga përplasja.
I riu që humbi jetën është djali i çiftit që u bë i njohur pas ngjarjes së rëndë pranë Gjykatës së Tiranës, Kudret dhe Dhurata Saliajt. Kjo e fundit në bashkëpunim me të atin vranë Kudret Saliajn. Ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën ndodhi më 4 qershor të vitit 2021. Nga të shtënat me armë mbeti i plagosur edhe avokati i viktimës, Adriatik Cama, ndërsa çifti ishte në proces divorci.
Dhurata Saliaj, mamaja e 18-vjeçarit që ndërroi jetë pas aksidentit mbrëmjen e djeshme, u dënua si bashkëpunëtore në krim. Dyshohet se ajo ka qënë personi që ka lajmëruar babain e saj për tu futur në lokal, dhe për të qëlluar ndaj ish-bashkëshortit të saj.
Hetuesit thonë se Dhurata, ka qenë në rolin e vëzhgueses duke informuar babanë e saj, Mexhit Picari mbi lëvizjet e viktimës. Rezulton sipas policisë, se vajza ka njoftuar Mexhit Picarin dhe ky i fundit i pajisur me armë zjarri TT, ka shkuar në lokal dhe ka qëlluar me disa plumba Kudret Saliaj.
Më 14 maj të atij viti, Dhurata Saliaj u shpall fajtore nga gjykata për akuzën e dhunës në familje, për të cilën po gjykohej nën masën e “arrestit të shtëpisë”.