Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi godinat e reja studentore në Qytetin Studenti, për të cilat tha se koha e zaptimit të hapësirave publike ka marrë fund. Ai theksoi se puna që po bëhet në atë zonë do të transformojë rrënjësisht jetesën e studentëve në Kryeqytet.
“Më vjen mirë të them se ‘Qyteti Studenti’ nuk ka qenë kurrë më i liruar dhe më i transformuar se sot. Puna ende nuk ka mbaruar, por nuk ka qenë asnjëherë më mirë se kaq, nëse kujtojmë sa territor dhe sa dhoma kemi liruar. Tre godina ishin zënë nga qytetarë, të cilët nuk ishin fare studentë. Ata i mirëkuptojmë, të gjithë do të trajtohen me bonus qiraje. Jo vetëm këtu, në Njësinë 2, por edhe në Njësinë 11, ku kemi pasur qytetarë, të cilët kishin zënë godinat e studentëve të Universitetit Bujqësor – do të trajtohen me bonus qiraje, njësoj siç ishin këtu, por ama kemi çliruar disa hapësira për studentët.” – u shpreh Veliaj.
Ai tha se studentët kanë prioritet dhe kërkoi bashkëpunim nga qytetarët, në mënyrë që konviktet e reja të mbarojnë sa më shpejt.
“Në mandatin e tretë duhet ta mbyllim kapitullin e godinave që duhet të rikonstruktohen, për të filluar më pas me godinat e reja, çka nënkupton hapësirë të re për Fakultetin e Drejtësisë, për Fakultetin e Ekonomisë, për Shkencat Sociale dhe më shumë hapësirë për studentët në terma të konvikteve apo apartamenteve të vogla. Në një kampus të vërtetë bashkëjeton edhe pjesa akademike, edhe pjesa rezidenciale. Ftesa për të gjithë është: bashkëpunim! Studentët do jenë të parët, kanë prioritet.”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptim nga operatorët e autobusëve, që të nisin transferimin drejt terminalit të ri në Lundër, çka shmang trafikun e rënduar që krijohet në Qytetin Studenti.
“Në zonën mes Saukut, pra nga “Dëshmorët e Kombit” deri te rrethrrotullimi i Qytetit Studenti, krijohet shumë trafik, i cili ndoshta do të jetë gjithmonë aty, për faktin se qyteti rritet dhe ka lëvizje, por janë disa segmente të trafikut që mund të lirohen, siç është trafiku që vjen prej autobusëve që vijnë nga rrethet, sidomos nga juglindja. Këtë javë nisim njoftimet e para që autobusët të transferohen në Terminalin e ri në Lundër” – sqaroi Veliaj.
Në fund, kreu i Bashkisë tha se infrastruktura moderne në Qytetin Studenti do rrisë vlerën e pronës për gjithë zonën. Ndërsa, si përgjigje për politikanët që flasin për të ardhurit në Tiranë, Veliaj tha se studentët janë boshti i Tiranës.