Vlorë/ Policia ka arrestuar një 51-vjeçar si dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tij pasi ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me sende të forta një të ri në Borsh. I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve nga policia, në pranga ka rënë Ndoc Përbibaj dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, Marin Përbibaj.
Dy vëllezërit Përbibaj akuzohen për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Goditën me sende të forta një shtetas, arrestohet në flagrancë njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shpallet në kërkim vëllai i tij.
Vihen në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Dashos”, në Borsh, ishte goditur me mjete të forta shtetasi A. S., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar.
Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale, nga specialistet për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit N. P., 51 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi M. P., 36 vjeç, të dy banues në Borsh.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me mjete të forta, shtetasin A. S., 30 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.