Një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë që merrej me kultivimin e kanabisit është goditur në Barcelona të Spanjës duke vënë në pranga 56 persona, të moshës nga 19 në 58-vjeç.
Autoritetet vendase kanë bërë me dije se aksioni për goditjen e këtij grupi ka nisur në 24 maj të këtij viti, pas mbajtjes nën vëzhgim të një elektriçisti që merrej me riparimin dhe kryerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike tek godinat ku rritej kanabsi.
Ndërsa gjatë aksionit më të fundit të policisë spanjolle janë kapur plot 1250 kilogramë sytha marijuane, 22600 bimë, 225765 euro “cash” si dhe një pistoletë. Pasi të çmontohen pajisjet, banesat do t’i kthehen pronarëve legjitimë, ndonëse kanë pësuar dëme të konsiderueshme për shkak të përshtatjes për kultivimin e drogës.
Shqiptarët kultivonin dy lloje kanabisi në 28 banesa: amnezi dhe kritike, kilja e të cilëve varionte nga 2300 në 2500 euro dhe transportohej në rrugë tokësore në shtete të tjera të Europës.
Organizata kriminale fitonte 12 milionë euro në vit
Autoritetet spanjolle besojnë se vetëm nga shitja e kanabisit në Katalonia, organizata e shqiptarëve fitonte më shumë se tre milionë euro në vit, një shifër që tre apo katër fishohet për pjesën e kanabisit që eksportohej në vende të tjera të Europës. Në total, mendohet se organizata fitonte rreth 12 milionë euro në vit, ndaj autoritetet kanë nisur paralelisht edhe një hetim për pastrim parash.
Një pjesë e madhe e të ardhurave investohej në blerjen e bareve dhe restoranteve në Barcelonë. Ndërsa një pjesë tjetër dërgohej në Shqipëri e fshehur në valixhe apo përmes transfertave të vogla bankare.
Shqiptarët kishin arritur të mashtronin edhe kompaninë e furnizimit me energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm prej rreth 1.5 milionë euro. Nga prodhimi i kanabisit në 28 banesa, shqiptarët kishin konsumuar 4.39 GWh energji elektrike apo sa konsumi vjetor i 1256 familjeve katalanase.