Policia italiane gjatë goditjes së sotme ndaj një bande italo-shqiptaro-marokene ka sekustruar 15 kilogramë drogë dhe më shumë se 25 mijë euro.
Gjithashtu ndër personat e arrestuar pjesë e rrjetit ishte edhe një 40-vjeçar nga Shqipëria.
Në këtë operacion janë angazhuar më shumë se 90 agjentë të antidrogës italiane. Hetimet kishin nisur një vit më parë kur një person u kap me kokainë.
Që prej atij momenti filluan ndjekjet, vëzhgimet, përgjimet dhe kontrollet për të gjurmuar rrjetin e trafikantëve të drogës që vepronte në qytetin e Novaras me degë në të gjithë Piemonten dhe Lombardinë, shkruajnë mediat italiane.
Sipas policisë italiane grupi i trafikut të drogës transportonte 20 deri në 30 kilogramë marijuanë dhe një kilogram kokainë çdo muaj. Më pas ata ua shisnin trafikantëve të tjerë duke krijuar një rrjet mjaft fitimprurës.
Nga operacioni të policisë kanë rënë në pranga një 30 vjeçar, një 40 vjeçar dhe një 34 vjeçar përkatësisht me kombësi italiane, shqiptare dhe marokene.
Pas arrestimeve, gjykata ka dhënë edhe 12 masa paraprake ndaj rrjetit të trafikantëve, ku 4 persona janë lënë në burg, 3 arrest shtëpie dhe pesë detyrim-paraqitje.