Në Gjermani dhe në vendet e ulëta cikloni i këtyre ditëve ka shkaktuar një katastrofë të paparë ku nga ora në orë rritet bilanci i viktimave, në një kohë që dëmet materiale janë të pallogaritshme.
Por ajo që po ndodh në Europën Ver-Perëndimore sot pritet të kalojë edhe në Alpe dhe Italinë e Veriut, në një kohë që nesër stuhia e fortë me reshje të dendura në formë uragani do të prek edhe Ballkanin.
Por për fat të mirë, nga sa parashikohet, ndikimi që do të sjellë për motin e vendit tonë do të jetë i vogël.
Në një lidhje skype për ‘News24’ sinoptikania e “Meteoalb” Lajda Porja, tha se ditën e shtunë pritet që të ketë rrebeshe shiu në zonën veriore dhe verilindore, ndërsa të dielën do të përfshihet edhe zona përgjatë bregdetit të Adriatikut.
Sipas Porjas, problematike edhe për javën që vjen do të jetë era në bregdet, e cila do të jetë e fortë, duke bërë që deti të ketë dallgë.
“Duke parë stuhinë me origjinë në ishujt Britanik, që ka përfshirë Europën Qendrore, kjo stuhi e quajtur në shkallën e uraganeve, po sjell përkeqësim të motit. Pritet që stuhia të zhvendoset drejt alpeve, dhe tek ne vjen e dobësuar.
Do të ketë më tepër rrebeshe shiu, në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci. Moti paraqitet me vranësira. E shtuna parashikohet të sjellë reshje shiu në zonën veriore dhe verilindore. Dita e diel do të zhvendos në një pjesë të madhe të territorit.
Do të përfshihen edhe zonat qendrore. Do të ketë reshje shiu në Velipojë, në Durrës, por shpëton zona e jugut. Ka pasur një rënie të temperaturave, krahasuar me të nxehtin që kaluam javën e shkuar.
Parashikohet që termometri mos të kalojë 34 gradë celsius. Kryeqytet pritet që gjatë kësaj fundjave do të jetë 33 gradë. Dita e diel do të ketë rënie temperature, 32 gradë, do kemi të paraqitur gjatë kësaj fundjave parametrin e erës”,- tha Porja.
/Burimi: BW/