Jose Maria Gimenez rrezikon pezullimin me 15 ndeshje për shkak të një incidenti në përfundim të takimit ndaj Ganës. Qendërmbrojtësi është fiksuar duke goditur njërin prej delegatëve të FIFA-s në fushën e lojës.
Tensioni i shoqëroi amerikano-latinët në eliminimin e tyre nga Kupa e Botës, megjithatë lojtari i Atleticos së Madridit zgjodhi mënyrën më të gabuar për të shfryrë nervat. Nga një video e publikuar së fundmi, 27-vjeçari shihet qartë që godet me bërryl zyrtarin e ndeshjes, madje e shoqëroi këtë veprim dhe me sharje dhe ofendime ndaj gjyqtarëve.
Jose Gimenz u shfaq maksimalisht i irrituar si pasojë e një penalltie të padhënë, sidoqoftë forma e zgjedhur për t’u rebeluar nga ana e lojtarit do të përkojë me një dënim nga ana e organit më të lartë të futbollit, siç raporton e përditshmja “Daily Mail”.
Bërrylat përfshihen tek sulmi fizik dhe tani mbetet për t’u parë nëse dënimi i Gimenezit do të jetë për pjesën e dytë të sezonit me Atleticon e Madridit apo vetëm me përfaqësuesen uruguaiane.
Një dënim të ngjashëm mori edhe Luiz Suarez në viti 2014 pas incidentit me Giorgio Chiellinin, me sulmuesin që asokohe u dënua me katër muaj pezullim.