Mama Cax, modelja me një këmbë, gruaja që u bë sinonim i forcës, po nderohet nga Google me Doodle-n e sotëm. Ajo humbi këmbën në moshën 14-vjeçare nga kanceri i kockave, gjë që nuk e pengoi ambicien e saj për t’u bërë modele, aktiviste dhe blogere.
Cacsmy Brutus, siç ishte emri i saj i vërtetë, me origjinë nga Haiti, lindi në Brooklyn, Nju Jork më 20 nëntor 1989. Ajo u rrit në Haiti dhe në moshën 14-vjeçare u diagnostikua me osteosarkoma dhe kancer në mushkëri.
Cax iu nënshtrua një zëvendësimi të kofshës, i cili ishte i pasuksesshëm dhe këmba e saj e djathtë duhej të amputohej. Mjekët i dhanë asaj tre javë jetë. Megjithatë, ajo luftoi dhe arriti jo vetëm të jetojë shumë vite të tjera, por me punën e saj të dërgonte një mesazh kumbues.
Ajo u bë e famshme në të gjithë botën kur më 15 shtator 2016 u ftua në Shtëpinë e Bardhë për të marrë pjesë në një sfilatë mode të organizuar nga çifti presidencial i atëhershëm, Barack dhe Michelle Obama. Në atë kohë ajo punonte në zyrën e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut ndërsa përfundonte studimet.
Në vitin 2017, Cax u shfaq në reklamën e saj të parë dhe së shpejti nënshkroi me agjencinë JAG Models në Nju Jork. Ajo sfiloi në pistë në shfaqjet për Chromat dhe Fenty Beauty të Rihanna-s. Mori pjesë në fushatat reklamuese për Tommy Hilfiger dhe Sephora. Sfiloi në Javën e Modës në Nju Jork në vitin 2018 dhe atë vit, bëri kopertinën e Teen Vogue me Jillian Mercado dhe Chelsea Werner.
Në vitin 2019, Cax u bë fytyra e Olay në fushatën e kompanisë kundër diellit. Megjithatë, ndërsa ishte në Angli në dhjetor 2019, Mama Cax u shtrua në Spitalin Mbretëror të Londrës me dhimbje të forta barku dhe mpiksje gjaku në mushkëri. Ajo ndërroi jetë në spital më 16 dhjetor 2019.