Nuredin Dumani ka nxjerrë në pah të tjera grabitje të cilat janë kryer nga ai dhe Talo Çela. Ai tregon për grabitjen e 10 viteve më parë të kambistit Shyqyri Sala, ku u dhunua dhe u grabit në Kavajë më 13 shkurt të 2012. Ngjarja sipas tij ka ndodhur kur kambisti ka shkuar në shtëpinë e tij dhe gjatë kohës që ai ishte duke parkuar makinën ka parë që dy persona kanë hyrë në shtëpinë e tij.
Dumani tregoi se në momentin që kambisti mbërriti në katin e dytë të pallatit, njëri prej dy personave i ka drejtuar një pistoletë. Në këto rrethana Shyqyriu është kthyer dhe ka zbritur shkallët me qëllim largimin e tij, por është arritur në hyrjen e jashtme të pallatit nga të dy personat, të cilët e kanë goditur me mjete të forta në kokë. Shala është përleshur me këta dy persona, por ata i kanë marrë çantën me para, rreth 4, 500, 000 lekë, si dhe telefonin celular dhe janë larguar me vrap. Autorët janë ndjekur prej të dëmtuarit deri në cepin e pallatit, por nuk ka mundur t’i kapë, pasi ata janë larguar.
Ngjarjen e ka zbardhur Nuredin Dumani i cili në dosjen e siguruar nga mediat rrëfen se gjithmonë në grabitje organizoheshin 4 vetë, ndërsa për rastin në fjalë thotë se detyra e tij ishte të merrte vetëm çantën me para.
“…….Grabitja e 2 ka qenë po me të njëjtët persona në Kavajë në vitin 2011. Ishte një kambist në dalje të Kavajës. Ishte i moshës 60 vjeç, e njihte Ilir Feçe, ky na orientonte. Grabitjen e kam bërë unë me Talo Çelën. Ky person zbriste diku rreth orës 06:00 – 06:30, e kisha ruajtur së bashku me Ilirin. E kam ruajtur diku 2 ose 3 ditë bashkë me Ilirin. Diku afër në autostradë Ilir Feçe kishte shtëpinë përballë mobileri Simaku në krahun e Kavajës. Ishte baza ku ne takoheshim dhe linim makinat e tyre. Në këtë banesë linim dhe armët dhe makinat e vjedhura. Shtëpinë e kishte halla e Ilir Feçit e cila jetonte në Itali. Kemi dal atë ditë me audi 80 benzinë ngjyrë gri i vjedhur, këtë makinë e kishte vjedhur Talo Çela ai na e solli. Shofer ishte Ilir Feçi, në vend të parë ishte Talo Çela dhe mbrapa isha unë. Ishim me qafore dhe kapele sepse skishte kamera.
Kemi zbrit unë me Talon i pari pasi jemi afru tek pallati 5 katësh (pallatet e Enverit). Talo është futur sa zbret shkallën unë isha përballë, Talo e goditi me levë në fytyrë, i ra 2 ose 3 here dhe u rrezua në tokë, unë kisha detyrë vetëm të merrja çantën, u mundova ta merrja çantën por se lëshonte, këto më kishin dhënë një thikë hidrauliku dhe u mundova ta prisja rripin e çantës dhe e preva dhe të dora, në këtë moment ai e lëshon çantën dhe largohemi me Talon drejt audit. Futemi tek një rrugë tek fshatrat e Kavajës që lidhen me Tiranën.
E lamë audin para një shtëpie jashtë Kavaje dhe na priste BMË e Ilir Feçit që e drejtonte Gent Sharra i cili kishte shkuar më parë aty. Kështu ishte plani. Organizimi ka qenë gjithmonë 4 veta unë, Gent Sharra, Talo Çela dhe Ilir Feçi. Kemi shkuar tek xhaja i Ilir Feçit në një fshat në Kavajë, ishte rruge e prishur nuk kisha qenë ndonjëherë. Kemi ndenjur tek shtëpia e xhajës se Ilirit deri në darkë. Më pas ikim në qytet. Ikim me pas tek shtëpia e hallës se Ilirit. Ishin 20.000 Euro, unë kam marrë 4.000 Euro, në prisnim diku tek 80.000 – 100.000 Euro.
Fakti se ngjarja e ndodhur te hyrja e pallatit është kryer nga dy persona sipas hetimeve të kryera e nga ana tjetër shtetasi Nuredin Dumani deklaron se “…Kemi zbrit unë me Talon i pari pasi jemi afru tek pallati 5 katësh (pallatet e Enverit)….”, fakti se i dëmtuari është goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas i është marrë çanta me para brenda, fakti se personat sipas dëshmisë së të dëmtuarit Shyqyri Shala ishin rreth moshës 18-24 vjeç, nga ana tjetër sipas dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, “kambistin e njihte Ilir Feçe….”, fakti se në vendngjarje është gjendur bishti i cigares SLIMS e cila nga akti ekspertimi ka rezultuar se “u përfitua një profil i plotë human i seksit mashkull dhe ka karakteristikat e përshkruara në akt (tab l)”, thuhet në dosje.
E gjithë dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me operacionin “Plumbi i Artë” me dy të penduarit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj është zbardhur nga Dosja.al. Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit. SPAK ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje. Por, 14 persona u kanë shpëtuar prangave.