Alkond Bengasi, një nga të akuzuarit për grabitjen e 4.6 milion euro në Rinas, gjatë deklaratës së tij përballë gjykatës së posaçme, ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje. Bengasi ka deklaruar se ka qenë presioni psikologjik dhe ai fizik i ushtruar nga hetuesit që e ka detyruar të firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit.
Në fakt tërheqja e tij nga bashkëpunimi me drejtësinë daton më datë 7 Janar 2021, ku nëpërmjet një shkrese të drejtuar gjykatës dhe prokurorisë deklaroi se nuk është i përfshirë në këtë ngjarje dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat.
Kujtojmë se më datë 9 prill 2019 ndodhi ajo që u quajt super-grabitja e Rinasit, ku autorët përmes një furgoni me mbishkrimin ‘hetim tatimor’, u futën brenda pistës së aeroportit, duke vjedhur paratë që do të transportoheshin me avion nga Shqipëria drejt Vienës.
Asokohe policia arriti të arrestonte disa prej autorëve, një ndër të cilët Alkond Bengasi. Ky i fundit vendosi të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai pranoi që të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të kallëzonte të gjithë skemën e grabitjes si dhe të organizimit. Mbas rrëfimit të tij policia arriti të arrestonte shtetasit: Oltion Veseli, Eldi Çala, Elton Pikli, Saimir Çela, Klement Çela, Renaldo Sula, ndërsa Talo Çela është ende në kërkim. Nga hetimet ka rezultuar se kreu i grupit kriminal ishte Admir Murataj, që mbeti i vrarë ditën e grabitjes gjatë përplasjes me armë me policinë.
Bengasi njihet gjithashtu edhe si kushëriri i “mjeshtrit” të grabitjeve Klement Çala. Ai ka pranuar ndër të tjera se është personi i cili ka modifikuar furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” që u përdor për grabitjen. Mjeti u modifikua në një pikë servisi në një lagje shumë të njohur të qytetit të Elbasanit