Një grabite me armë ka ndodhur në fshatin Dom të Klosit, ku 5 persona të maskuar kanë vjedhur 8 mijë euro dhe 1 milion lekë duke keqtrajtuar familjarët.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar dhe banorët e fshatit të cilën shprehen se ngjarje e tillë as nuk ishte parë e dëgjuar më herët.
Sakaq shtojnë se shteti duhet të marrë masat e nevojshme në të kundërt situata do të merret në kontroll nga vetë banorët.
“Është një ngjarje e pazakontë, për fshatin tonë, për lagjen tonë, Në këto 75 vite nuk mbaj mend të jetë vjedhur një pulë. Jemi habitur. Kemi ardhur që në orën 3 të mëngjesit këtu. Policia po punon, por duhet t’i gjejë. Ne nuk dimë gjë se si ka ndodhur. Shyqyr që ka shpëtuar djali, tani të vërë dorë shteti. Zonja e shtëpisë tha se e kanë hapur me çelës autorët valixhen, kanë lidhur nënë e bir. Shyqyr që shpëtuan. Tani e ka në dorë shteti”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor i bëri thirrje autoriteteve që të gjejnë autorët, në të kundërt duhet të marrin masa vetë.
“Edhe një pulë nuk është vjedhur. Kjo familje është më e rregullta në katund. Ata punojnë në shtëpinë e vetë. Erdhëm këtu nuk gjetëm asnjë njeri. Gjetëm nënën dhe djalin, se e lidhën dhe i ranë. Shyqyr që janë gjallë. Djalin e çuan në spital e kanë mjekuar. Qeveria duhet të ndërhyjë, ose të rregullojë ose ta dimë dhe ne. Me mbajt armë dënohemi, po ta dimë dhe ne të marrim masa. Ne as derën se çelim, por duhet të vëmë mend tani. Kërkojmë që personi të dënohet maksimalisht dhe mos të kemi mëshirë. Kjo familje nuk ka bërë asnjë të keqe të bëhet ai veprim.”, tha ai.