Në Shqipëri, Gjykata la sot në burg, Rozeta dhe Havier Dobin, nënë e bir të akuzuar për vjedhjen e sasive të mëdha në valutë të huaj në banesën e ish zyrtares Alda Klosi. Ngjarja tërhoqi vëmendje më së shumti për faktin se si një sasi prej më shumë se 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarësh gjendeshin cash në shtëpinë e zonjës Dobi, ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh, dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.
Zonja Dobi ka deklaruar se “paratë i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili i’a ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë”. Megjithatë pikëpyetjet mbeten dhe mbi këtë version. Prokuroria ka shpjeguar nga ana e saj se do të hetojë origjinën e këtyre parave.
Rozeta Dobi punonte si pastruese në shtëpinë e zonjës Klosi, ku shkonte një herë në javë. Ajo ka pranuar përpara policisë se më 15 dhjetor, i shoqëruar me automjet nga i biri ka vajtur në banesën e zonjës Klosi, duke hapur derën me çelësin që e dispononte dhe pas kontrollit në banesë ka zbuluar një kasafortë të cilën e ka marrë me vete. Ajo është shprehur se këtë e ka bërë nga urrejtja për zonjën e shtëpisë. Rrëfimi i saj duket po ashtu me dritëhije, përsa kohë është e paqartë se si ajo arriti të hapte kasafortën, gjatë rrugës së kthimit në shtëpi me të birin, ndërkohë që gjithshka duket e përllogaritur që më parë, duke qenë se në banesën e zonjës Dobie ka lënë rrumujë, dhe derën të hapur, për të krijuar idenë e një grabitjeje.
Ngjarja mori përmasa dhe më të mëdha, kur një kontroll i dytë në banesën e Rozeta Dobit, e cila prej vitesh punonte si pastruese në shtëpitë e personave të ndryshëm, ka zbuluar dhe 404 mijë euro të tjera, të cila dyshohet që po ashtu të jenë të vjedhura. Por për momentin nuk rezulton që të ketë patur denoncime nga persona të tjerë, për zhdukjen e këtyre parave, gjë e cila po ashtu ngre dyshime të tjera mbi mënyrën se si i kanë siguruar këto, përsa kohë nuk kanë patur guximin të denoncojnë humbjen e tyre./VOA