Në 24 orët e fundit, policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 shtetas, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Mes të arrestuarve është një hajdut i grilave të dritareve dhe një baba dhunues.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim D. Ll., 42 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi ka vjedhur 11 grila të dritareve, në banesën e shtetasit F. P.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin Q. F., 71 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj djemve të tij”,- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.