Pas më shumë se një dekade, Gjykata e Lartë heq përfundimisht praktikën e fitimit të gradave në policinë e shtetit, nga nënkomisar deri në nivelin Drejtues i Parë, me vendime gjykate. Sipas Gjykatës së Lartë, askush nuk mund të fitojë një gradë pa ju nënshtruar më parë konkursit me komisionin e ngritur nga policia e shtetit.
Sipas pikës 66 të vendimit thuhet: “Në vijim të përfundimit njësues Kolegji vlerëson se plotësimi i kriterit të ushtrimit të funksionit të kërkuar për gradën e pretenduar dhe vjetërsisë në gradë, nuk mund të sjell përfitimin gjyqësisht të gradës policore të pretenduar, pa iu nënshtruar procedurës së konkurrimit vlerësues nga komisioni i gradimit, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 108/2014”.
Prej kohësh gradat në policinë e shtetit fitoheshin me konkurs dhe praktikë gjyqësorë, ndërsa nga kjo e hënë, 2 gusht 2021, askush nuk mund të fitojë më një gradë në polici pa konkurs.
Mësohet ekskluzivisht se një ndër gjykatat që ka dhënë më shumë grada policore me vendime gjyqësore është ajo e Vlorës. Ndërsa ky vendim unifikues erdhi pas padisë së efektivit Leonard Ndreka që kërkoi gradën me gjykatë, por kjo kërkesë u rrëzua.
“Gjykata e Lartë vlerëson me rëndësi koherencën në praktikën gjyqësor,si dhe interpretimin e drejtë dhe uniform të ligjit nga ana e të gjitha gjykatave të faktit të Republikës së Shqipërisë. Në vazhdën e publikimit të vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, në ndihmë zbatuesve të së drejtës dhe opinionit publik, Kolegji Administrativ i kësaj gjykate njofton se në datën 15.07.2021, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.31003-01562-00-2018 Regjistri Themeltar, e cila shënon vendimin e parë njësues të këtij Kolegji në fushën e të drejtës administrative.
Abuzimi me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat për 9 zyrtarët e ish zyrtarët e ministrisë së Brendshme! 8 në burg, 1 arrest shtëpie
Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludoi në sentencën unifikuese:
Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
/Priza.al/