Një dosje voluminoze me aksionin dhe çmontimin e një organizate të madhe kriminale ka përfunduar në zyrat e Prokurorisë së Athinës. Sipas mediave greke, dosja zbërthen një prej organizatave më të mëdha kriminale që operojnë në vendin fqinjë, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë edhe shumë policë aktivë. Hetimi raportohet se ka nisur 2 vite më parë, për vepra të ndryshme penale, që nga zhvatja deri tek vrasjet.
Sipas të njëjtave informacione brenda ditës pritet një operacion për arrestimin e personave të përfshirë, e deri më tani raportohet se bëhet fjalë për më shumë se 60 persona që akuzohen për: zhvatje, mashtrim, fajde, trafik armësh dhe droge, falsifikime dhe pastrim parash “të pista” .
Sipas burimeve kompetente, bëhet fjalë për një rast jashtëzakonisht të rëndë me disa vepra penale dhe dëme të mëdha financiare që janë shkaktuar shtetit grek, por nuk dihet nëse ka shqiptarë të përfshirë në rrjetin kriminal.