Njëzet e pesë muaj burg për shkak të lëndimit trupor, kanosjes dhe dhunës në familje i është shqiptuar paraditen e së enjtes një shtetasi shqiptar, njëzet e shtatë vjeç.
Sipas mediave greke, mbrëmjen e së mërkurës, policia arrestoi të riun në shtëpinë e tij në rrugën Selinou, pas denoncimit të një fqinji, i cili kuptoi se bashkëshortja 24-vjeçare e autorit po dhunohej fizikisht dhe se i rrezikohej jeta.
Fillimisht qiramarrësi ka pasur guximin të trokasë në derën e çiftit ku 27-vjeçari u përpoq ta mbante me muhabet, po pas këmbënguljes së fqinjit të guximshëm, filloi ta kërcënonte edhe atë.
Menjëherë është vënë në dijeni policia, për të vijuar me arrestimin e autorit, i cili është paditur për kërcënimet që ka marrë dhe qiramarrësit të sensibilizuar të pallatit, i cili nuk ka hezituar të përballet me të dhe të parandalojë më të keqen.
Duke qenë se në kuadër të hetimeve paraprake u konstatua se çifti banonte ilegalisht në Greqi, Gjykata vendosi masën e paraburgimit prej dy muajsh për 27-vjeçarin, për të cilin do të nisë procedura e dëbimit, ndërsa pjesa tjetër dënimi u pezullua.
Nga ana e saj, 24-vjeçarja ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë leje qëndrimi në vend, por ajo vetë duket se dëshiron të kthehet pranë familjes së saj në Shqipëri.