Greqia po shpalos ndihma për çiftet e reja duke ju ofruar atyre mundësinë të marrin kredi të butë për t’u krijuar kushtet për të blerë shtëpinë e tyre të parë.
Mediat në vend raportojnë se ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale, Kostis Hatzidakis , ka paraqitur sot në Këshillin e Ministrave një projektligj që trajton çështjet ligjore, me qëllim që Strategjia Sociale e Strehimit (Programi “Shtëpia ime”) të nisë konkretizimin nga fillimi i vitit 2023.
Bëhet fjalë për një buxhet prej 1.74 miliardë eurosh, nga e cila do të përfitojnë mbi 137 mijë qytetarë. Gjithashtu, projektligji përfshin masa që synojnë çlirimin e pronës publike me qëllim përdorimin e saj për qëllime banimi, përshpejtimin e procedurave përkatëse dhe kujdesin e veçantë për viktimat e zjarrit të Atikës Lindore.
Programi i kredisë në këtë rast ka të bëjë me dhënien e një kredie me interes të ulët për të rinjtë dhe çiftet e reja me bashkëfinancim të DYPA dhe Bankave.
Programi është i vlefshëm për të rinj dhe çifte të reja (me martesë fetare/politike ose me kontratë bashkëjetese) të moshës 25-39 vjeç (një nga të dy) dhe me të ardhura neto vjetore deri në kufijtë e parashikuar.
Huamarrësit gjithashtu nuk duhet të kenë një shtëpi tjetër që plotëson nevojat e tyre për strehim. Përfituesit mund të blejnë nëpërmjet programit një banesë të parë me vlerë deri në 200,000 euro, me sipërfaqe deri në 150 m2 dhe viti i ndërtimit deri në 2007 me kredi pa interes ose me interes të ulët.
Kredia mund të arrijë maksimumi 150,000 euro, mbulon deri në 90% të vlerës së pronës dhe do të ketë një kohëzgjatje shlyerje deri në 30 vjet. Interesi përfundimtar është euribor (tremujor) +1%, ndërsa për çiftet që kanë 3+ fëmijë gjatë shlyerjes, kredia do të konvertohet në pa interes.