Aktivistja e klimës Greta Thunberg ka tërhequr vëmendjen me deklaratën e saj për klimën në konferencën e Kombeve te Bashkuara “Youth4Climate” të organizuar në Milano, Itali.
Ajo iu drejtua delegatëve në këtë konferencë duke ironizuar deklaratat dhe thirrjet e liderëve botërorë që janë bërë kohët e fundit lidhur me luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Thunberg u shpreh se “nuk ka planet alternativ dhe se nuk ka më kohë për premtimet boshe”.
“Nëse kjo është ajo që ata e konsiderojnë si veprim klimatik, atëherë ne nuk e duam atë. Ata ftojnë të rinj në takime si ky duke pretenduar se po na dëgjojnë. Por ata nuk po na dëgjojnë dhe nuk na kanë dëgjuar kurrë. Thjesht shikoni numrat, shikoni statistikat. Emetimet janë ende në rritje,” – deklaroi aktivistja suedeze.
Pavarësisht ironisë që Greta Thunberg përdori në këtë ngjarje, ajo u shpreh se ka akoma shpresa për të bërë kthesë dhe për të luftuar ndryshimet klimatike. Megjithatë ajo vuri në dukje se ndryshimi është “urgjent dhe i domosdoshëm”.
Konferenca e mbajtur në Milano ka pritur rreth 400 aktivistë të rinj nga e gjithë bota dhe është një takim pasues i samitit të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në nëntor. Në këtë samit pritet që të shqyrtohen propozimet e dërguara nga ministrat e Klimës dhe Energjisë.
/Burimi: La Repubblica/ Përshtati Priza.al/