Në secilën ditë tanden, thuaji vetes – qofsh ajo që je!
Në secilën ditë tanden ndër shtatëdhjetë e shtatë arsye që t’i imponojnë të tjerët, e t’bajnë me u tjetërsue,
Ti gjeje te vetja kurajon, për me e çue buzën n’gaz
dhe për me e vu mbi to një red lipstick,
për me kenë vetja,
për me kenë ajo, që t’mjafton ty
Jepja vetes nji qëllim,
largoja pengjet brenda, nji nga nji,
gjeje nji motiv
diçka që, gjithqysh ka me t’i shndritë sytë
e me t’ba me e rrezatue vigjilencën tande n’fillim të secilës ditë.
N’mos hiç hiç,
futu n’shitoren e parë që t’del përpara,
bleja vetes nji toblerone,
ambëlsoje shpirtin me gjana t’thjeshta, me gjana t’vogla.
Çlirohu!
Jeto pa frikën e çastit, fundja gjithçka asht veç nji çast.
Ban me t’shkrepë syni n’secilin hap, n’secilin vendim
prej vullnetit për me jetue,
prej vullnetit për me jetësue.
Po qe nevoja, trazoja pluhnin botës,
arrije cakun që e ke synim.
Shih veç andrra t’bukura.
Sa herë t’i urosh vetes gjumë t’mirë, i thuej botës:
At the end of the day, I’ll win!
Mos e prit veç datën e lindjes, a tetë marsin,
për me ta çmue dikush praninë me nji lule.
Banu Rozafë, forco themele, por jo kështjellash,
mos e muros asnji milimetër të fatit tand.
Tregoja vetes koordinatat e duhuna n’secilën stuhi dhe mos u përkul para asnjenës gjini.
Lirinë tande ta kesh si gjanë ma të shenjtë mbi këtë tokë!
Mos e dhuro!
Mos e kompenso!
Mos e shit!
Asnjiherë!
Shndërroi përuljet në shtytje e guxim
Me modesti ktheji n’vepra arti,
n’forcë,
n’qëllim,
n’bindje
n’trashëgim…
Kështu e tregon madhështinë tande karshi injorancës.
Karshi injorantëve që mundohen me ta ulë vlerën përditë.
Me dinjitet çaji shpërgajt e kohës
e thueja ma shpesh fjalën TË DUE ndër sy
vetëm dikujt që nuk ta merr këtë për dobësi,
vetëm dikujt që t’ban me u ndie vetja.
Vetëm dikujt, që t’ban me u ndie Ti.
Vlora Ademi