‘Grup kriminal i strukturuar’/ Prokuroria dhe SPAK kanë nisur hetimet, ‘Fondi Besa’ padit ‘Priza.al’ për ‘prishje imazhi’  

Pretendon se është një institucion financiar “mik” me mediat (me ato që i paguan të mbajnë gojën mbyllur), por pas rreth një viti që po publikojmë gati çdo ditë skandale me prova e fakte, befas “Fondi Besa” i Bajram Muçës është kujtuar që të padisë në gjykatë median “Priza.al”.

Duke ju referuar vetëm shkrimeve të ditëve të fundit dhe aspak dhjetëra denoncimeve dhe investigimeve të bëra për gjatë një viti, “Fondi Besa” i trembur edhe nga skandalet e fundit të plasura në media për daljen e databazeve të të dhënave të shqiptarëve, ku pjesë e hetimeve është bërë edhe kjo IFJB-ë, kujtohet që të na përmend padinë.

Duke i konsideruar si “shpifje” investigimet tona, “Fondi Besa” që deri pak kohë më parë qëndronte hermetik ndaj komunikimeve dhe përpjekjeve të “Priza.al” për të marrë versione zyrtare të qëndrimeve mbi skandalet e plasura, po kujtohet befas që të shantazhojë median e vetme që ka guxuar e para të bëjë emra dhe të publikojë fakte, duke i kërkuar që të tërheqë shkrimet.

“Fondi BESA Sh.a u kërkon mediave të caktuara të ndalojnë së botuari më tej lajme të rreme, si dhe të tërheqin ato të transmetuara apo publikuara, në lidhje me përfshirjen e Fondit BESA në të ashtuquajturin ‘skandali i pagave’. 

Institucioni ynë nuk ka pasur në asnjë rast bashkëpunim apo komunikim me personat e akuzuar si blerës dhe përdorues të data-bazës së të dhënave personale.

Fondi BESA po ndjek me shqetësim publikimin e informacioneve të pavërteta që pretendojnë në mënyrë të rreme se “Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Fondin Besa. Fondi BESA dyshohet si ‘blerësi’ i data-bazës së të dhënave personale”, publikuar së fundi nga një portal aspak profesional (priza.al)”,- thuhet në deklaratën e “Fondit Besa” të publikuar në profilin e tij të “Facebook”-ut.

Po për sa më sipër, “Priza.al” i sqaron “fondit Besa” dhe presidentit të tij, Bajram Muça, se duhet të futet dhe të hulumtojë më shumë në shkrimet e botuara për gjatë një viti në portalin tonë dhe aty do ta kuptojë se sa profesional ose jo, jemi ne.

Të gjitha dëshmitë dhe materialet i ke me emra, foto, dëshmitar, dokumente, regjistrime audio dhe video, si dhe me burime nga brenda zyrave tuaja.

“Priza.al” prej kohësh i ka bërë thirrje e para organeve të drejtësisë që të hetojnë mbi këtë skandal të pretenduar nga viktimat e “Fondit Besa”, si dhe u ka bërë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese që të kthejnë sytë nga ky skandal me përmasa të mëdha.

Po ashtu “Priza.al” është e para që ka depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK-ut dosjet me provat e saj, ndaj tani presim se si do të reagojë drejtësia e re, mbi këto çështje.

Ndërsa sa për presione dhe përgënjeshtrime aq na bën…! Jemi mësuar dhe nuk është rasti i parë që po mundohen të na e mbyllin gojën ose të na e godasin faqen!

Për transparencë po e botojmë të plotë më poshtë edhe qëndrimin e “Fondit Besa”:

“13 Janar 2022

Fondi BESA Sh.a u kërkon mediave të caktuara të ndalojnë së botuari më tej lajme të rreme, si dhe të tërheqin ato të transmetuara apo publikuara, në lidhje me përfshirjen e Fondit BESA në të ashtuquajturin “skandali i pagave”. 

Institucioni ynë nuk ka pasur në asnjë rast bashkëpunim apo komunikim me personat e akuzuar si blerës dhe përdorues të data-bazës së të dhënave personale.

Fondi BESA po ndjek me shqetësim publikimin e informacioneve të pavërteta që pretendojnë në mënyrë të rreme se “Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Fondin Besa. Fondi BESA dyshohet si “blerësi” i data-bazës së të dhënave personale”, publikuar së fundi nga një portal aspak profesional (priza.al).

Në përgjigje të këtyre lajmeve të pavërteta dhe plotësisht të rreme, Fondi BESA dëshiron të sqarojë se, në të gjithë veprimtarinë e tij përgjatë 27 viteve në treg, ka vënë në fokus klientët dhe interesat e tyre, duke u shërbyer bazuar në pesë vlera bazë, të cilat rrjedhin natyrshëm nga misioni dhe qëllimet e institucionit: Respekti, Integriteti, Transparenca, Profesionalizmi dhe Qëndrueshmëria.

Çdo koment i mëtejshëm apo deklaratë publike e bërë nga media e sipërpërmendur me qëllim dezinformimin e publikut dhe dëmtimin e imazhit të institucionit, pa asnjë provë të bazuar, është subjekt i ligjit dhe do të ketë pasoja ligjore.

Fondi BESA ka ngarkuar avokatët e tij, Studion e Avokatisë Haxhia & Hajdari, për të nisur veprimet ligjore penale dhe civile ndaj personave përgjegjës dhe subjektit në fjalë.

Fondi Besa Sh.a ka mbështetur gjithmonë transparencën e mediave, të drejtën për informim dhe ka dënuar me forcë lajmet e rreme në emër të interesit të vogël të bizneseve apo njerëzve të caktuar. Ne mbetemi besnik ndaj mediave të besuara si mjeti sublim për të informuar saktë publikun”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *