Grup me para-ushtarakë të armatosur/ Gazment Bardhi duhej të ishte ne qeli

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit është përfshirë në një skandal, që doli në dritë dje, pas ekzekutimit të ish zyrtarit të LSI-së, Pjerin Xhuvani.

Pragu zgjedhor u përgjak, një viktimë është regjistruar para zgjedhjeve të 25 Prillit, ndërsa Gazment Bardhi, sot shëtit i lirë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Dje, ai ka pranuar se po i bën karshillëk Policisë së Shtetit, me ngritjen e një grupi me ish-policë të armatosur.

Grupi është kamfluar me etiketën si “Strukturat e Mbrojtjes së votës”.

Ishte vetë Bardhi që konfirmoi se Strukturat e Mbrojtes së Votës kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit.

Gazment Bardhi, në vend që të presë vullnetin e qytetarëve me 25 Prill, bredh rrugëve me njerëz të armatosur për të “kërkuar” votën dhe për të mbjellë viktima siç ndodhi një ditë më parë.

Sot, Gazment Bardhi duhej të ishte në polici dhe i prangosur dhe të jepte llogari për krijimin e një grupi të armatosur me ish ushtarakë që patrullojnë në qytetin e Elbasanit, sikur janë në mbrojtje të votës së lirë.

Pra, Bardhi minimalisht duhet të hetohej për organizim të paligjshëm, pasi ka punësuar ish-policë që lëvizin të armatosur pa asnjë rregull, asnjë ligj.

Ndryshe janë policitë private, të cilët janë krijuar konform ligjit dhe ndryshe, grupimi që Gazment Bardhi e proklamon si Strukturë për Mbrojtjen e votës.

Pa hyrë në detaje politike, se kush po e frymëzon dhunën dhe krimin dhe po përhap panik në këtë prag zgjedhjesh, nga cilido kamp qofshin, ligji duhet të funksionojë njësoj për të gjithë.

Të paktën në një shtet demokratik, kështu duhej të ndodhte. Gazment Bardhi nuk do të lihej i lirë, edhe pse ai nuk është personi që ka shkrepur armën, është personi që ka grumbulluar para-ushtarakët e armatosur, pas asnjë ligj, kod apo rregull.

Që do të thotë ka krijuar një bandë të armatosur, pavarësisht se Bardhi thotë se janë persona që nuk kanë precedentë kriminalë.

LEXO EDHE: Grabitet banesa e biznesmenit në Elbasan/ Autorët marrin 20 milion lekë
Por, kjo është histori tjetër, nëse gërmojmë mbi pjesëtarët e grupit që Bardhi i quan si Struktura për Mbrojtjen e votës.

Gazment Bardhi mund të dalë të bëjë akuza politike, të shkojë edhe në SPAK, të bëjë kallëzime, siç ka bërë më herët, është në të drejtën e tij dhe të PD, por jo të grumbullojë njerëz të armatosur për të mbjellur viktima, siç ndodhi dje.

Ai që qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, Arbër Paplekaj dhe dy nga ata që u plagosën ishin pjesë e strukturave të Bardhit.

Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, edhe ata ish-punonjës të Policisë së Shtetit dhe ndryshe nga sa pretendon Bardhi që bëhet fjalë për persona pa precedentë penalë, sipas mediave, Emiljano Prenga rezulton arrestuar dhe inkriminuar në 2017.

Pra, ka plot rrethana dhe prova, që Gazment Bardhi sot, duhej të ishte gdhirë në qeli./CNA.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *