Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan sot në emër të Grupit Parlamentar kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë.
Katër kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë. Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK kanë treguar për shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave. Pikërisht, me qëllim shqyrtimin e këtyre praktikave, si dhe vlerësimin e marrjes së masave të nevojshme, përfshirë ndërhyrjet ligjore, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë.
Në datën 10.04.2019, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nënshkruar një Kontratë partneriteti publik-privat për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore, me konsorciumin “Laboratory Netëorks” sh.p.k., i cili përbëhet nga shoqëritë “Labofarma” sh.p.k., “AB Laboratory Solution B.V”, dhe “EXALAB”. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare nga data e komisionit të objektit të fundit laboratorik dhe përllogaritet të ketë kosto totale rreth 114 milionë dollarë.
Në datën 10.02.2016, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “DiaVita” sh.p.k., kanë nënshkruar kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës. Kjo kontratë do të ketë një afat 10-vjecar dhe përllogaritet me një kosto totale prej 70 milionë euro. Historiku i kompanisë fituese të këtij koncesioni ngriti mjaft dyshime, duke qenë se jo vetëm nuk kishte asnjë eksperiencë në sektorin shëndetësor, me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh, por pronarët e saj të vetmen eksperiencë në biznes kishin menaxhimin e një bar kafe modeste në qytetin e Beratit. Të dhënat e publikuara më pas në media do të zbulonin se pas kësaj kontrate qëndronte pronari i Spitalit Amerikan, biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Hollandë do të bëhej edhe pronar përfitues i kësaj kontrate koncesionare.
Në datën 10.12.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “SaniService” sh.p.k., nënshkruan kontratën për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 100 milionë euro. Deri më tani rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 8 miliardë lekë ose 76 milionë euro.
Në datën 07.01.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “3P Life Logistic” sh.p.k., nënshkruan kontratën për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40 – 65 vjec. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 120 milionë euro. Deri më sot rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 60 milionë euro.