Një pjesë e prodhuesve të grurit në vend ankohen se po shkojnë drejt falimentimit. Fermerët e zonës së Shën Pjetrës në Fier thonë se i gjithë drithi i korrur pak muaj më parë u ka mbetur stok në magazine. Kjo sipas tyre për shkak të çmimit të ulët në treg.
Vilson Sika, njëri prej prodhuesve të drithrave të kësaj zone, tregon se kostoja e një kilogrami grur momentalisht është 40 lekë. Çmim ky i papërfillshëm për të, pasi një vit më parë të gjitha plehrat kimike i ka blerë shtrenjtë. Gruri sot është me 40 mijë lekë kuintali të vjetra ndërsa ne urenë e kemi marrë me 103 mijë lek kuintali. Sot ne magazinat i kemi plotë dhe vjen tregtari thotë ma jep mua me 40 mijë lek. Ne magazinat i kemi të bllokuara. Me grurë me elb me tërshërë. Ku ta çojmë grurin? Elbin? Mistrin? Tërshërën?
Vilson Sika shpjegon se tregtarët kërkojnë të abuzojnë e të përfitojnë në kurriz të fermerit shqiptar pasi nuk ua blejnë me çmimin e importit.
“Marrin import nga jashtë që ësthë më shtrenjt se prodhimi këtu dhe thonë nuk ka prodhim vendas. Nuk ka shitje se tallet tregtari me ne. Nuk do mbjellim më. Më mirë ta hanë pulat sesa ta marrin tregtarët. Naftën e marrin ata që bredhin me makina.”
Një ton grur importohet nga jashtë me 370 deri në 390 dollarë, dhe shitet me afërsisht 50 lekë për kilogram./vizion