Duke filluar nga Napoleon Bonaparti, po rendisim më poshtë pesë udhëheqësit që iniciuan grushte shteti, për t’u ngjitur në krye dhe për të udhëhequr dhe që ndryshuan historinë e botës.
5 grushte shteti që ndryshuan historinë e botës
Menjëherë pas kthimit nga fushata e tij e famshme ushtarake egjiptiane në tetor 1799, Napoleon Bonaparti filloi të bënte plane për të rrëzuar Direktoratin prej pesë anëtarësh që sundonte Francën. Me mbështetjen e disa bashkëpunëtorëve të nivelit të lartë, Napoleoni organizoi një seancë të posaçme legjislative që u zhvillua jashtë Parisit, më 10 nëntor 1799. Nëpërmjet propagandës, ryshfetit dhe presionit, ai shpresonte të mashtronte “Këshillin e pleqve”, në mënyrë që ata ta vinin në krye të vendit. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por mbi të u hodhën akuza dhe u nxor jashtë me brohoritjet “Poshtë diktatori!”. Pavarësisht kësaj, ai arriti t’ia dalë me synimet e veta duke shfuqizuar Direktoratin dhe duke marrë postin si konsulli i parë, derisa në vitin 1804 u kurorëzua perandor.
Kur një koalicion i majtë fitoi zgjedhjet spanjolle në shkurt 1936, gjenerali Francisco Franco u dërgua në Ishujt Kanarie. Ndonëse ishte i vetëdijshëm për një komplot që po përgatitej mes kolegëve të tij oficerë të ushtrisë, ai fillimisht hezitoi të bashkohej, por në fund u bind. Më 18 korrik, Franko shkroi një manifest ku i lutej ushtrisë të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Kur garnizonet e ushtrisë në të gjithë Spanjën ia vunë veshin thirrjes së tij, ai menjëherë u nis fshehurazi nga Ishujt Kanarie drejt Marokut të kontrolluar asokohe nga Spanja, ku kryengritja kishte filluar. Përpjekja për grusht shteti ishte pjesërisht e suksesshme, duke i lënë rebelët e Frankos nën kontrollin e vetëm një të tretës së vendit dhe duke nxitur një luftë të përgjakshme civile që do të zgjaste tre vjet. Në fund, megjithatë, ai doli fitues. Me mbështetjen e fashistëve, monarkistëve dhe Kishës Katolike, “El Caudillo” do të sundonte si diktator i Spanjës deri në vdekjen e tij në vitin 1975.
I lindur në një tendë nga prindër beduinë analfabetë, Muammar al-Gaddafi u rrit duke urryer monarkinë libiane dhe mbështetësit e saj perëndimorë. Në moshën 27-vjeçare, në kohën kur ishte një oficer i ri i ushtrisë, vendosi të merrte pushtetin vetë, më 1 shtator 1969, ndërsa mbreti Idris ishte jashtë vendit. Duke drejtuar automjete ushtarake në qytetet e Tripolit dhe Bengazit, Gaddaf dhe rreth 70 bashkëpunëtorë të tij, rrethuan pallatin mbretëror dhe ndërtesa të tjera kryesore qeveritare, ndërprenë komunikimet dhe arrestuan disa zyrtarë të lartë (njëri prej të cilëve u hodh në një pishinë me pizhame, teksa përpiqej të shpëtonte). Garda personale e mbretit bëri vetëm një rezistencë simbolike dhe brenda dy orësh grushti i shtetit ishte realizuar. Në një fjalim në radio atë mëngjes, Gaddaf-i informoi bashkatdhetarët e tij se regjimi “i korruptuar” dhe “reaksionar” ishte rrëzuar. Në fillim, askush nuk dinte qartë se kush e kishte marrë përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje. Por Gaddaf-i shumë shpejt do të impononte vullnetin e tij në të gjitha aspektet e jetës libiane. Duke u përplasur vazhdimisht me Shtetet e Bashkuara, ai do të qeveriste Libinë për 42 vjet, derisa u vra gjatë kryengritjes së “Pranverës Arabe” në vitin 2011.
Kryengritja në vitin 2011 kundër regjimit të Gaddafi-t
Nga postet e ulëta, Idi Amin u ngrit shumë shpejt gjatë karrierës së tij në grada ushtarake për t’u bërë gjenerali më i lartë i Ugandës. Megjithëse fillimisht një aleat i ngushtë i presidentit Milton Obote, i cili e kishte udhëhequr vendin drejt pavarësisë nga Britania në vitin 1962, të dy burrat përfundimisht filluan të mos i besonin njëri-tjetrit. Pak para se të nisej për një konferencë në Singapor, Obote dyshohet se urdhëroi fshehurazi arrestimin e Amin. Fjala për këtë komplot u zbulua nga Amin-i,dhe ai iu përgjigj më 25 janar 1971. Duke gjuajtur me armë dhe mortaja, njerëzit e Amin zunë shpejt aeroportin dhe vendet e tjera strategjike, përpara se të shpallnin grushtin e tyre të suksesshëm përmes radios. Pavarësisht nga një premtim për të rivendosur demokracinë, i vetëshpallur “Mbreti i fundit i Skocisë” do të vazhdonte të sundonte Ugandën me dorë të hekurt fillimisht, duke vrarë rreth 300.000 kundërshtarë politikë. Pasi u rrëzua nga të mërguarit nga Uganda dhe ushtarët tanzanianë, Amin jetoi pjesën tjetër të jetës së tij në Arabinë Saudite pa u përballur me akuza.
Një oficer ushtarak me karrierë të gjatë, Augusto Pinochet u emërua kreu i ushtrisë kiliane në të njëjtën kohë kur ai iu bashkua një komploti të mbështetur nga CIA kundër njeriut që e kishte promovuar atë, presidentit Salvador Allende. Më 11 shtator 1973, marina kiliane pushtoi qytetin-port të Valparaiso, ndërsa tanket dhe trupat përparuan në pallatin presidencial në qendër të Santiago-s. Duke drejtuar sulmin nga një post komandë periferike, Pinochet urdhëroi dy avionë luftarakë që të gjuanin raketa në pallat. Ndërsa flakët shpërthyen drejt qiellit, ushtarët më pas sulmuan ndërtesën, duke bërë që Allende, një marksist i zgjedhur në mënyrë demokratike, të kryente vetëvrasje në vend që të dorëzohej. Pas kësaj, njerëzit e Pinochet nisën të kapnin mijëra mbështetës të Allendes për t’i torturuar dhe ekzekutuar pa gjyq. Pinochet filloi kështu atë që do të bëhej një mbretërim diktatorial 17-vjeçar. Dëshmia e Kongresit dhe dokumentet e deklasifikuara më vonë treguan se, nën urdhrat e presidentit të SHBA-së Richard Nixon, CIA ishte përpjekur për vite të tëra të nxiste rënien e Allendes, pjesërisht duke financuar propagandën anti-Allende, duke marrë masa për të dëmtuar ekonominë e Kilit dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me puçistët e njohur.