Të paktën katër persona janë vrarë dhe 38 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në Stamboll më 13 nëntor.
Kështu bëri të ditur guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya. Ai shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor.
Shpërthimi ka ndodhur në bulevardin e frekuentuar Istikalal të Stambollit.
Sipas guvernatorit Yerlikaya, ngjarja ndodhi në orën 16:20.
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të së dielës dhe sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.
Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.
Vëzhguesi i mediave në Turqi ka ndaluar përkohësisht raportimeve e mediave për shpërthimin, që do të thotë se transmetuesit nuk mund të shfaqin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese. Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit kishte vendosur ndalesa të tilla edhe në të kaluarën pas sulmeve aksidenteve apo edhe për disa çështje politike.
Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Një video tjetër shfaqi autoambulancat, ekipet e zjarrfikësve dhe policinë në vendin e ngjarjes. Në mediat sociale u tha se dyqanet në këtë zonë janë mbyllur pas shpërthimit.
Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe restorante.
Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e kishin marrë grupi militantë Shteti Islamik dhe militantët kurdë./REL