Guvernatori i Teksasit merr vendimin e guximshëm! Ndalon vaksinimin e detyruar në gjithë shtetin

Guvernatori Greg Abbott i shtetit jugperëndimor të Teksasit në Shtetet e Bashkuara, nxorri një urdhër ekzekutiv të hënën që ndalon vaksinimet e detyruara kundër COVID-19 në këtë shtet.

“Asnjë entitet në Teksas nuk mund të detyrojë asnjë individ që të bëjë vaksinën, përfshirë punonjës apo konsumatorë, që kundërshtojnë të vaksinohen për arsye personale, besim fetar, apo arsye mjekësore, përfshirë kur e kanë kaluar më parë COVID-19”, thuhet në urdhër.

Abbott, një republikan, ka qenë një nga udhëheqësit më të zëshëm të SHBA që kundërshtoi bërjen e detyrueshme të vaksinave të koronavirusit. Ai ka lëshuar urdhra të ngjashëm më parë, por ky është i pari që përfshin punëdhënësit privatë dhe klientët e tyre.

Shumë e shohin mandatimin e vaksinave si shkelje të lirive personale. Guvernatori u ka bërë thirrje ligjvënësve të shtetit që të miratojnë një ndalim në ligj.

“Vaksina Covid-19 është e sigurt, efektive dhe mbrojtja jonë më e mirë kundër virusit, por duhet të mbetet vullnetare dhe kurrë e detyruar,” tha Abbott në një deklaratë.

Abbott është një nga disa guvernatorë republikanë në Shtetet e Bashkuara që kanë kundërshtuar nismat e Presidentit Joe Biden për të frenuar pandeminë gati dyvjeçare, përfshirë moslejimin e zbatimit të udhëzimeve të qeverive lokale dhe shkollave për mbajtjen e detyrueshme të maskave.

Presidenti Biden nxorri një urdhër muajin e kaluar, ku kërkonte që të gjitha bizneset me 100 ose më shumë punonjës, ose të vaksinojnë plotësisht punonjësit e tyre, ose të përballen me testime javore, dhe e bënte të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit federalë.

Dy kompani të mëdha me qendër në Teksas, American Airlines dhe Southwest Airlines, kanë njoftuar vaksinime të detyrueshme kundër COVID-19 për punonjësit e tyre. Gjigandët e teknologjisë Facebook dhe Google, që kanë seli të mëdha në Teksas, kanë dhënë gjithashtu urdhra për vaksinim të detyruar për punonjësit e tyre.

Debati rreth vaksinimeve të detyrueshme ka qenë një çështje polarizuese në SHBA. Kritikët i shohin ato si antikushtetues, por përkrahësit thonë se ato janë të nevojshme për të trajtuar një shpërthim mbarëkombëtar që vrau më shumë se 700,000 njerëz.

Në maj, guvernatori republikan i Floridas ndaloi të gjitha pasaportat e vaksinave në bizneset private, dhe udhëheqësit republikanë të Montana ndaluan “diskriminimin” e punësimit bazuar në statusin e vaksinës.

Ndërkohë, këtë muaj Kalifornia u bë shteti i parë amerikan që kërkoi që të gjithë studentët të vaksinoheshin kundër Covid për të marrë pjesë në mësime personale. Shteti ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit në SHBA dhe tashmë kërkon vaksinime për të gjithë punonjësit mjekësorë.

Guvernatori Abbott, i cili u diagnostikua me COVID-19 në fillim të këtij viti, tha në urdhrin e tij se “vaksinat inkurajohen fuqimisht për ata që kanë të drejtë t’i marrin, por kjo gjithmonë duhet të varet nga vetë qytetarët.”

Ai tha se do të inkurajojë legjislaturën e shtetit ta kthejë urdhrin e tij në ligj gjatë një sesioni të ardhshëm special.

Por Dr. Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha të hënën gjatë një interviste se “ne e dimë që urdhërat për ta bërë vaksinën të detyrueshme funksionojnë”.

Dr. Fauci tha se megjithëse zyrtarët shëndetësorë ngurrojnë të nxjerrin direktiva për vaksinim të detyruar, “nganjëherë urdhërat me të vërtetë mund të ndihmojnë në këtë drejtim.”

/Burimi: BBC/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *