Në kuadër të përpjekjeve të Gjermanisë dhe Francës për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës, që shpërthyen në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it ditët e fundit, është shprehur edhe Thomas Hacker, deputet liberal gjerman, (FDP) dhe raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor në grupin parlamentar të liberalëve. “Ditët e fundit kanë treguar, se trazirat dhe klima e mosbesimit në veri të Kosovës kanë çuar në dinamikë të rrezikshme, që nuk duhen toleruar dhe bien ndesh me Marrëveshjen e Ohrit.”
Deputeti gjerman e ka përshëndetur kërkesën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron për zgjedhje të reja në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë. Por sipas Hacker ato mund të ulin tensionet vetëm nëse merr pjesë Lista Srpska dhe lirohet nga diktati i Beogradit. E qartë është që një bojkot i ri i zgjedhjeve nuk ka për të ndryshur situatën, thekson Thomas Hacker.
“Pala kosovare duhet të ulë prezencën joproporcionale në veri të Kosovës dhe të mos përpiqet të nxjerrë kapital politik nga vakuumi aktual i sigurisë. Kjo sjellje i shërben vetëm narrativit të Beogradit dhe i mundëson Vuçiqit të largojë vëmendjen nga gjendja e brendshme politike në Serbi”, është shprehur në një njoftim për shtypin, deputeti gjerman, Thomas Hacker.DW